SPAK hap garën për 8 hetues për hetimin financiar, çfarë duhet të kenë parasysh aplikantët

schedule13:51 - 27 Prill, 2022

schedule 13:51 - 27 Prill, 2022

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar këtë të mërkurë ka shpallur procedurën e konkurrimit për tetë vende vakante për Hetues në Sektorin e Hetimit Financiar.

SPAK përmes një njoftimi për mediat bën me dije se hetuesit do të kenë përgjegjësi të kryejnë verifikime të mjeteve financiare dhe pasurive të personave nën hetim dhe të raportojnë rezultatet tek prokurorët e posaçëm kompetentë.

Ndërkohë sqarohet se në momentin e aplikimit kandidatët duhet të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe telekomunikimeve vetjake.

Ndër të tjera në njoftimin e SPAK thuhet se aplikantët për këto pozivione duhet që të kenë diplomë në drejtësi, në financë apo në fusha të tjera përkatëse, të lidhura me fushën e hetimeve financiare.

Gjithashtu duhet të kenë një eksperiencë pune jo më pak se dy vjet si Oficerë të Policisë Gjyqësore. Gjithashtu aplikantët duhet që të plotësojnë kushtet e sigurisë përpara emërimit në detyrë dhe të kenë plotësuar me sukses procesin e përzgjedhjes sipas procedurës së konkurrimit të organizuar nga Prokuroria e Posaçme. Më pas do ti nënshtrohen përzgjedhjes që përbëhet nga 4 faza.

Sipas njoftimit aplikantët kanë afat për të dorëzuar dokumentacionin e tyre të aplikimit deri më 12 maj të këtij viti./abcnews.al