Prokuroria belge ka mbajtur në arrest 15 nga 55 personat e ndaluar të premten. Aksioni anti-drogë është përshkruar si goditje “kundër mafies shqiptare në Evropë”. Europoli njofton për arrestimin e 60 personave.
Në kumtesën e Europolit thuhet se në “aksion kanë marrë pjesë 650 policë në Belgjikë, Holandë, Francë, Itali dhe Mbretëri të Bashkuar, të cilët kanë bastisur disa adresa në koordinim me autoritetet në Serbi”. Në pyetjen nëse aksioni është bërë në koordinim edhe me autoritetet në vendet tjera të Ballkanit, zëdhënësi i Europolit Jan Op Gen Oorth ka thënë se organizata “ka përkrahur qarkullimin e informacionit në mes të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera me të cilat rrjeti ka pasur kontakte duke përfshi edhe ato në Ballkanin Perëndimorë”.
Tregu i kanabisit dhe sasitë e kapura
Zëdhënësi ka refuzuar që të zbulojë nacionalitetin e të arrestuarve duke i përmbledhur të gjithë në “mafia shqipfolëse”. Gjithsej janë zbuluar 17 plantazhe të kanabisit dhe policia ka konfiskuar 8.000 rrënjë të bimës, 200 gramë kokainë, kompjuterë, telefon, dokumente, kesh dhe gjashtë vetura luksi. Sipas Qendrës evropiane për monitorim të drogave dhe varësisë nga drogat, në vit bëhen rreth 22 mijë aksione të konfiskimit të rrënjëve të kanabisit me mbi 10 milionë bimë të konfiskuara. Këto rezultate kanë kulmuar në vitin 2015 kur janë konfiskuar 11.5 milionë bimë. Tregu i kanabisit përbënë 38 për qind të tregut të përgjithshëm të drogave të jashtë ligjshme, me vlerë prej rreth 9.3 miliardë Euro. Një pjesë e madhe e këtij kanabisi prodhohet në ambiente të mbyllura brenda BE-së përderisa importet më të mëdha vinë nga Maroku dhe Libia. Një pjesë të kanabisit vjen nga Ballkani Perëndimorë prej vendeve si Serbia, Kosova, dhe Shqipëria. Sa i përket prodhimit brenda BE-së grupet e organizuara kriminele holandeze përbëjnë pjesën më të madhe të prodhimit, thuhet në raport. Krahasuar me të dhënat e përgjithshme sasia e konfiskuar e kanabisit në këtë aksion nga “mafia shqiptare” përbënë më pak se 0.1 për qind të sasisë së përgjithshme të konfiskuar në BE gjatë një viti.
Pse u liruan shumë të arrestuar?
Sa i përket këtij rasti nga 55 arrestimet 15 janë ndaluar në polici për t’u hetuar për qëndrim ilegal në vend, transmetojnë mediat lokale pohimet e prokurorisë belge. Mbetet e paqartë pse shumica e të arrestuarve janë liruar dhe nëse kundër tyre janë ngritur akuza për tu lënë të mbrohen në liri. Europol ka kumtuar se “hetimi ka pasur për cak organizatat kriminele të përfshira në shumë aktivitete, duke përfshi trafikimin e kanabisit në sasi të mëdha, trafikimin e kokainës, prostitucionin, trafikimin me qenia njerzore dhe pastrimin e parave” ka thënë një zëdhënës i prokurorisë për mediat lokale belge.
Prokurori belg Christian Henry nga Tournai-Mons, i ka thënë gazetës lokale De Standaard se grupi ka pasur lidhje me gra bullgare të vendosura në qytetin Einthoven të cilat janë transferuar në plantazhe që të vjelin kanabisin sipas nevojës.
I tërë aksioni është pjesë i një projekti të financuar nga Komisioni Evropian të quajtur: Direzione Investigativa Antimafia Project ONNET, që ka për qëllim ndjekjen e grupeve mafioze në Evropë. Projekti ka filluar në nëntor 2018 dhe përbëhet nga 6 vende anëtare të BE-së, Italisë, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës dhe Europolit. Projekti ONNET i ka cak grupet mafioze si tërësi e jo ndjekjen e tyre për aktivitete të caktuara. Grupet kryesore cak i projektit janë grupet mafioze italiane, rrjetet euro aziatike dhe shqiptare të mafies si dhe bandat jashtëligjore të motoristëve./Deutschewelle