Me sytë nga rrënojat e Kukësit të vjetër

schedule12:29 - 22 Prill, 2022

schedule 12:29 - 22 Prill, 2022

Nga Skënder Minxhozi

Tema kryesore e konfliktit në Ukrainë, pas asaj të përplasjes së armëve, është energjia. Janë ato tuba gazi dhe nafte që përshkruajnë territore ku luftohet cep më cep, por që mbeten të paprekura në emër të biznesit prej miliardash euro që mban gjallë Evropën por edhe palët ndërluftuese. Kriza energjitike që ka prodhuar agresioni rus në Ukrainë është pasoja direkte e shumë dekadash politike të gabuar të vendeve kryesore të kontinentit, gjatë të cilave ato i dhanë formë një varësie gjithnjë e më kapitulluese ndaj gazit rus.

E meqë energjia është një armë e bardhë që mund të përdoret për të marrë peng shtete të tëra, Putin po bën pikërisht këtë gjë. Që nga 24 shkurti kur nisi konflikti, evropianët kanë derdhur në arkat e Federatës Ruse afërsisht 40 miliard euro. Sanksione për hamburgerat, bankat, makinat e parfumet, por jo për naftën e gazin rus që vazhdojnë të rrjedhin drejt Perëndimit. Evropa pranon sot gabimin e saj me varësinë energjitike nga Rusia, por kjo është një rrethanë që nuk korigjohet brenda natës.

Ambjenti i vogël shqiptar e ka vuajtur si gjithë të tjerët, me rritje çmimesh e kufizime të pritshme energjie këtë situatë të krijuar. Sikur të mos mjaftonte lufta, rrënojat e Kukësit të vjetër në basenin ujëmbledhës të Fierzës na thonë se do të kemi një verë edhe më të nxehtë e të vështirë përpara. Çmimi i naftës nëpër pikat e karburantit frikëson shoferët, ndërkohë që të gjithë pa përjashtim paguajnë më shumë për ushqimet, mjetet e konsumit e gjithçka tjetër.

A është Shqipëria përballë një fataliteti që vjen nga larg dhe diktohet nga palë të treta, apo mund të bënte diçka më shumë për të evituar një krizë të thellë si kjo që po duket në horizont?! Një përgjigje parë dhe e shpejtë është se gjithmonë mund të bëhet më tepër, e kjo nuk është një formulë e thatë.

Në 3 tetor, pra kur s’kishte asnjë shenjë iminente për luftë në horizont, kryeministri Rama paralajmëronte se “vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.”

A fliste Edi Rama vetëm për rritjen e çmimeve për shkak të rihapjes së botës pas pandemisë, apo dinte diçka më tepër në lidhje me konfliktin që po vinte? Kjo ka pak rëndësi sot, pasi ashtu si në dekadën e fundit, vendi që ai drejton prej nëntë vitesh vazhdoi të pluskojë edhe në gjashtë muajt që pasuan, në vetësigurinë e energjisë së prodhuar në kaskadën e Drinit dhe importin që sigurojnë linjat e reja të transmetimit. Pa u merakosur pra për të hedhur disa hapa të cilat sot mund të na kishin dhënë një dorë të mirë në betejën për kilovatët dhe litrat e shtrenjtuara të naftës.

Plot 21 vjet më parë niste projektimi i TEC-it në Vlorë, një impiant që na ka kushtuar 130 milion euro dhe shumë e shumë fonde të tjera për mirëmbajtje, pa prodhuar asnjë kilovat energji, nga rreth 100 megavat që e ka kapacitetin. Një fuqi e mjaftueshme për të mbajtur nja dy apo tre qytete të mëdha me energji. Prej 13 vitesh, që nga 2009 kur përfundoi ndërtimi, TEC ka lindur “fëmijë i vdekur”. Nuk prodhon energji për shkak të një defekti në ndërtim në sistemin e ftohjes. Plot 13 vjet që pesë qeveri, dy të djathta dhe tre të majta, rrinë e shohin në mënyrë të turpshme sesi një pasuri e madhe kombëtare që mund të ishte një hallkë e rëndësishme në sistemin kombëtar energjitik, rri e ndryshket duket ngrënë fondet me rroga stafi e “heqje pluhurash”.

Në këto ditë krize e lufte, TEC ka qenë shpesh në faqet e medias me pamundësinë e tij për të prodhuar energji. Prej thuajse një dekade vijon të flitet jo vetëm për vënien në punë, por edhe për konvertimin e turbinave të tij nga nafta në gaz. Sërish nja katër qeveri e kanë shpërfillur këtë zgjidhje, duke e lënë të fikur TEC-in. Një marrëzi e pastër shqiptare, nga ato që vetëm ne dimë të krijojmë.

Paralel me TEC-in një projekt edhe më i madh, ai i gazsjellësit TAP, sërish nuk na e lehtëson sadopak krizën që kemi për energji. Në një mjedis ku bëjnë zhurmë edhe lajmet e vjetra, po flitet këto javë për faktin në vetvete skandaloz të mungesës së një daljeje gazi në territorin 200 kilometra shqiptar ku kalon tubacioni, si dhe për faktin se kjo vepër që ka kushtuar 4.5 miliard dollarë nuk paguan asnjë kacidhe për tranzitin në tokën shqiptare. Një kontratë e denjë për vendet koloniale të Afrikës në fillim të shekullit të shkuar.

Përtej TEC-it Vlorë, prezenca e TAP në tokën shqiptare i ka dhënë hov një retorike në lidhje me gazifikimin e vendit. Por përtej fjalëve, strategjive dhe marëveshjeve të firmosura në vakuum, sot Shqipëria nuk arrin ende të përdorë as edhe një litër gaz nga TAP për nevojat e ekonomisë dhe popullatës së saj. Jemi siç thotë Fan Noli “pranë sofrës të pangrënë”. Kemi strategji gazi, po s’kemi gaz.

Shqipëria është një vend i gjelbër sa i përket prodhimit të energjisë. Hidrocentralet kanë mundësuar që ne të emetojmë pesë herë më pak gazra serrë për frymë sesa Evropa Perëndimore dhe për këtë arsye të blejmë kuota të reduktimit të karbonit nga vendet e pasura, si Italia dhe Danimarka, në këmbim të financimit prej tyre të projekteve të energjisë së gjelbër.

Mendoni se kjo ka bërë që të kemi ndonjë investim konkret serioz në këtë fushë? Fjala vjen ndonjë park të madh solar meqë kemi edhe plot diell, apo ndonjë park eolik meqë edhe era nuk mungon?! As njëra, as tjetra. Që të shohësh një nga ato shtyllat gjigande me krahë rrotullues që prodhojnë energji, duhet të dalësh në Mal të Zi, Greqi apo edhe Kosovë. Në Shqipëri nuk bëhet fjalë të ketë të tilla. Nuk ka as parqe solare megjithse na djeg dielli mesdhetar n shumicn e vitit. Edhe këtu vetësiguria që vjen nga kaskada e Drinit dhe lehtësia e importit na kanë lënë në bisht të Evropës në energjitë e gjelbra.

Por ja që pas tërmetit dhe pandemisë, vjen lufta dhe ta përmbys paqen e rrejshme energjitike. Sepse kur harxhon 30 vjet duke konsumuar ëndrra me centrale bërthamore dhe rrjete gazi ingezistente, por në realitet mbështetesh vetëm tek hidrocentralet e vjetra të komunizmit, ky është fundi i vetëm logjik.

Tre dekada vegjetimi dhe moçali politik, intelektual e akademik e kanë lënë shumë pas Shqipërinë në lojën e madhe të energjisë. Një lojë për të cilën bota ka njëqind vjet që shkon në luftra, lidh e prish aleanca, ndërton, eksperimenton dhe kërkon zgjidhje pafund. Situata që kemi sot është pasojë e politikave hipokrite, premtimeve të pambajtura dhe amatorizmit të skajshëm të atyre që kanë pretenduar se po merren me menaxhimin e punëve në këtë vend.

Një shtet që ende rri me sytë nga rrënojat e Kukësit e vjetër, që nuk lëviz nga vendi për energjinë e tij, s’ka kuptuar asgjë nga bota e re ku kemi hyrë pas pandemisë, luftës dhe fundit gradual të hidrokarbureve. Dhe jemi të destinuar të paguajmë për këtë miopi kombëtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!