Zv/Presidenti amerikan Mike Pence ka paralajmëruar Turqinë të mos avancojë me blerjen e planifikuar të sistemit të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia. Paralajmërimi erdhi pak orë pasi ministri turk i Punëve të Jashtme tha të mërkurën në SHBA se marrëveshja me Rusinë tashmë ishte e përfunduar.
“Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të qëndrojmë duarkryq teksa aleatët e NATO-s blejnë armatime nga kundërshtarët tanë, armatime që kërcënojnë kohezionin e kësaj aleance”, tha Pence të mërkurën, gjatë fjalimit në një samit të NATO-s në Uashington.
Pence tha se blerja e sistemit antiraketor rus nga Turqia për 2,5 miliardë dollarë, “përbën rrezik të madh për NATO dhe për forcën e kësaj aleance”. Ai paralajmëroi se Turqia do të përballet me pasojat nëse vazhdon me këtë plan.
Por vetëm pak orë më parë, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavuşoglu tha se kjo ishte një marrëveshje e përfunduar. “Marrëveshja për S-400 është e përfunduar dhe ne nuk do të tërhiqemi nga kjo”, tha Çavuşoglu.
“Turqia duhet të zgjedhë. Dëshiron të mbesë një partnere kritike e aleancës më të suksesshme ushtarake në historinë e botës, apo dëshiron të rrezikojë sigurinë e këtij partneriteti me vendime të pamatura që minojnë aleancën tonë?”, paraljmëroi Pence.
Zv/Presidentit amerikan iu përgjigj me të njëjtën monedhë homologu i tij turk, Fuat Oktay, i cili tha se SHBA-të duhet të vendosin nëse duan të qëndrojnë aleat i Turqisë, apo duan ta rrezikojnë këtë miqësi duke mbështetur grupet terroriste. /tvklan.al