Vijojnë debate në Partinë Demokratike lidhur me gjetjen e një zgjidhje të përbashkët për tu bashkuar.
Së fundmi ka qenë deputeti Xhelal Mziu i cili ka publikuar platformën e tij se si bashkohet Partia Demokratike. Ndërkohë Mziu ka fshirë edhe statusin e mëparshëm ku tregonte mbështetjen për platformën e propozuar nga Alibeajt.
“Platforma dhe hapat përbashkues, që duhet të aprovohen dhe ndiqen nga grupi parlamentar si e vetmja strukturë përfaqësuese dhe përgjegjëse e PD, që të kemi një PD fituese në zgjedhjet vendore të vitit 2023! 1. Unifikimi total i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, sipas 25 prillit 2021. 2. Heqja dorë nga ankimimi në gjykatën e apelit të vendimit për Partinë Demokratike! 3. Shpallja NUL e çdo përjashtimi, që nga kryesia PDSH, këshilli kombëtar e çdo zgjedhje apo emërim të bërë në strukturën drejtuese e deri në bazën e PD (nga PD apo Foltorja)! 4. Ndalimin i menjëhershëm i konflikteve dhe debateve të brendshme dhe pa vlerë brenda PD. 5. Hartimi i një programi e grafiku zgjedhjesh nga baza deri në Kuvendin Kombëtar përbashkues të PD! 6. Grupi parlamentar i PD si e vetmja strukturë e çertefikuar të jetë pjesa substanciale e grupeve të punës në terren nga dy palët, ku zgjedhjet nga Seksioni, Grupseksioni dhe deri në rang Kryetar dege të jenë deri në korrik 2022, më sakt: A. Zgjedhje të reja në seksione Maj 2022; B. Zgjedhje të reja në Grupseksione Maj-Qershor 2022; C. Zgjedhje e Kryetarëve të Degëve në bazë dege dhe Bashkie në Qershor-Korrik 2022; D. Zgjedhje e Kryetarit të PDSH Korrik ose Gusht 2022; E. Organizimi i Kuvendit Kombëtar Përbashkues i PD dhe zgjedhja e strukturave të Këshillit Kombëtar të PD, etj në Korrik ose deri Gusht 2022; F. Mbledhja e Këshillit Kombëtar dhe Zgjedhja e Kryesisë dhe strukturave të tjera drejtuese të PD Gusht ose në Shtator 2022; H. Të hartojmë një platformë konkurruese qeverisëse të PD (të shpaloset në shtator ose tetor), që të binden jo vetëm demokratët por dhe apolitikët, pse jo dhe socialistët që Shqipëria meriton një qeverisje ndryshe nga sot, një qeveri që i bënë qytetarët shqiptarë që të ndjehen si qytetarët e BE këtu në Shqipëri. Këtë duhet dhe mundet që ta bëj vetëm Partia Demokratike. Kjo është ajo çfarë duhet të bëj grupi i punës i përbashkët i grupit parlamentar të PD por dhe eksponent të tjerë, që të kemi një PD më të madhe se me 25 prill dhe fituese në raport me rilindjen. Historia jo e largët ose koha, do të dënoj me forcë këdo që është kundër bashkimit pakushte të Partisë Demokratike! Demokratët dhe shqiptarët janë në krizë të thellë, ne po Ju humbim shpresën atyre. Shqipëria çdo ditë po bëhet më e vogël nga dje dhe për fajin tonë”, ka shkruar Xhelal Mziu.
*Më herët edhe deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli publikoi një platfomrmë sipas saj që mund të çonte në zgjidhjen e krizës në PD.
“Sot opinioni publik është njohur me një draft platformë nga z.Enkelejd Alibej si dhe një listë të deputetëve që e mbështesin këtë propozim. Po ashtu në të njëjtin komunikim janë bërë me dije dhe qëndrimet e një pjese të vogël të grupit që kishin kërkuar që ato të deklaroheshin nga z. Alibej publikisht.
Me këtë rast në respekt të gjithë votuesve të mi dhe në cilësinë e deputetes së Qarkut Shkodër sqaroj qëndrimin tim me këtë çështje:
- Kam kërkuar dhe do vazhdoj të kërkoj hartuesve të draftit, dhe çdo propozimi me këtë qellim, të mbështetet ose jo me votë dhe saktësisht me Votim të Fshehtë nga tē gjithë deputetet e PD.
- Drafti dhe çdo propozim tjetër gjykoj që duhet diskutuar dhe debatuar në mbledhjen e gjithë deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit pa asnjë përjashtim duke garantuar transparencë tē plotē!
3.Cdo draft propozim përfshirë edhe i sotmi duhet të siguroj pa dallim dhe qëndrimet përkatëse të cdo deputeti të Partisë Demokratike!
I qëndroj fort bindjes se të gjithë krahët në PD në situatën ku ndodhemi duhet të gjejnë kurajën që permes dialogut të hapur, të gjejnë rrugët e bashkimit ku e para dhe e vetmja duhet te jetë vota dhe gjithëpërfshirja e demokratëve!”, shkruan ajo.
/abcnews.al/