Rasti Georgina/ Dalin të dhënat nga tableti, 3 dita para vdekjes së 9-vjeçares Google shfaqte reklama për ketaminën

schedule21:43 - 15 Prill, 2022

schedule 21:43 - 15 Prill, 2022

Autoritetet në Greqi janë duke marrë të dhëna nga tableti që ishte vendosur në arkivolin e 9-vjeçares Georgina, vdekja e të cilës është duke u hetuar si vrasje. Me urdhër të autoriteteve gjyqësore u bë zhvarrosja e të miturës në mënyrë që hetuesit të hedhin dritë më atë që ka ndodhur.

Mediat në Greqi raportojnë se në laboratorin special ku është dërguar pajisja është zbuluar se në tablet janë shfaqur reklama për medikamente si ketamina, tre ditë para se 9-vjeçarja, që dyshohet se është vrarë nga e ëma Roula Pispirigou, të ndërronte jetë.

Lexo edhe: Nga zhvarrosja te “skanimi” i farmacive, autoritetet po gjurmojnë mënyrën sesi e siguroi ketaminën nëna e Georginës

Duke cituar burime, mediat në vend raportojnë po ashtu, se gjatë ekzaminimit të tabletit, pati alerte nga Google për produkte të ngjashme si ketamina, substancë që u gjet në gjakun e vogëlushes pas vdekjes në sasi vdekjeprurëse.

Kujtojmë se reklamat që paraqiten në Google janë të lidhura kryesisht me kërkimet që bëjnë përdoruesit e pajisjeve në internet. Veçse në gjak, Georginës së vogël iu gjetën gjurmë ketamine edhe në urinë.

Autoritetet në vend janë duke u përjekur që të zbulojnë itenerarin e “ndjekur” nga ketamina derisa ka rënë në duart e nënës së vajzës e më pas i është administruar Georginës. Stafi i spitalit ku vajza po merrte kujdes shëndetësor e ka mohuar kategorikisht që substanca t’i jetë dhënë vajzës gjatë shtatë muajve që ajo ka qëndruar në institucionin në fjalë.

Roula Pispirigou është duke u hetuar për vdekjen e 9-vjeçares Georgina, por edhe për atë të dy vajzave të tjera të saj të mitura Malena dhe Iris që po ashtu kanë humbur jetën në një hark të shkurtër kohor dhe në rrethana thuajse të ngjashme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!