Partia Socialiste i ka dërguar një kërkesë Kuvendit për të shtyrë afatet e punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në datën 5 Maj. Arsyet e hartimit të kësaj kërkese i bën publike kryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri i cili sqaron gjithashtu se zgjedhjet e 30 Qershorit do të zhvillohen me Kodin e vjetër Zgjedhor.
Edhe pse thonë se nuk u intereson nëse hyn apo jo në zgjedhje opozita, një ftesë për tu ulur në tryezë ia kanë dërguar. Nëpërmjet një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Partia Socialiste kërkon shtyrjen e afatit të punimeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në 5 Maj. Pranë Komisionit të caktohet në cilësinë e vëzhguesit edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike.
Kjo kërkesë do të miratohet në seancën parlamentare të së mërkurës.
“Do të bëjmë një amendim për t’i krijuar një mundësi Partisë Demokratike për të vëzhguar. Pavarësisht se janë jashtë kuvendit kanë një dritare të hapur, me të gjitha të drejtat që ka opozita në parim, me të drejtën e propozimit dhe kundërshtimit. Në çdo kohë që PD vendos të ulet në tavolinë për të kërkuar ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe PD e ka atë hapësirë”.
Ndryshimet në kodin zgjedhor duket se nuk do të jenë gati për zgjedhjet e 30 Qershorit.
“Në zgjedhjet e 30 Qershorit do të hyjmë me këtë kod zgjedhor. Reforma zgjedhore do të jetë e vlefshme vetëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Koha nuk premton që të ndryshohen rregullat e lojës tani. Reforma Zgjedhore është e vlefshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.
Damian Gjiknuri është propozuar që të marrë postin e bashkëkryetarit të komisionit për reformën zgjedhore ndërsa ajo që ia la vendin, Blerina Gjylamenti të jetë në funksionin e anëtarit./abcnews.al