Raporti i DASH, Basha: U konfirmuan shqetësimet e PD, Rama është kthyer mburojë i ministrave të korruptuar

schedule15:39 - 13 Prill, 2022

schedule 15:39 - 13 Prill, 2022

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Basha shprehet mes të tjerash se gjetjet e këtij raporti konfirmuan shqetësimet e ngritura nga PD për korrupsionin, masakrën zgjedhore, presioni ndaj medias etj.

Ish-kreu i demokratëve thekson se Rama është kthyer në kthyer në mburojë të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë.

Basha e ka cilësuar gjithashtu raportin si kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Reagimi i plotë:

SHBA-të konfirmuan sërisht se shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike për korrupsionin, masakrën zgjedhore, veshjen me pushtet të kriminelëve, presioni ndaj medias etj, janë të drejta dhe të bazuara në fakte të pakundërshtueshme.

Në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut nënvizohet se korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes së Edi Ramës.

Ashtu si në rastin e kanabizimit të vendit, apo në rastin e fundit të inceneratorëve Edi Rama është kthyer në mburoj të ministrave të korruptuar duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë.

Raporti ka vërtetuar edhe shqetësimin e PD për përdorimin politik të policisë dhe shpesh herë kthimin e saj në shërbim të personave të inkriminuar.

E ndërkohë që dosjet për masakrën zgjedhore presin një vendimmarrje nga organet e drejtësisë, DASH risjell në vëmendje problematikën e blerjes së votave, rrjedhjën e të dhënave personale të 900 mijë shqiptarëve dhe përdorimin e tyre për arsye elektorale si dhe përdorimin e fondeve publike në funksion të përfitimit electoral.

Ky raport duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë e veçanërisht Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, të cilat janë krijuar për të vënë para drejtësisë të paprekshmit, zyrtarët e lartë të korruptuar, ata që kanë tjetërsuar me forma dhe mënyra të ndryshme vullnetin e shqiptarëve për ndryshim e për t’u kthyer atyre besimin tek drejtësia.

Pa u vënë para ligjit ata që deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe kokat e korrupsionit, Shqipëria s’do të ketë as progres e as zhvillim ekonomik.

g.v/abcnews.al