Nga Ermal Vija
Procesi gjyqësor ndaj të shumëkërkuarit Talo Çela, është shtyrë për të disatën herë në gjykatën e posaçme. Shkak është bërë policia e Elbasanit që prej më shumë se një muaj nuk ka mundur të vendosë në banesën e të shumëkërkuarit njoftimin e Gjykatës së posaçme për ta informuar rreth procesit që po mbahet ndaj tij.
Ky veprim procedurial ka detyruar gjykatën që të shtyjë edhe seancën e së hënës që do të mbahej në gjykatën e posaçme. Fleta e njoftimit, është veprimi i fundit njoftues, që do zhbllokonte procesin dhe do niste gjykimin në mungesë ndaj 51-vjeçarit të akuzuar për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit mesditën e 9 prillit të 2019-tës.
I shumëkërkuari për këtë dosje, do gjykohet veçmas anëtarëve të tjerë të grupit të grabitësve, pasi me ndryshimet e reja ligjore, çështja e një të dyshuari pezullohet për 1 vit, dhe nëse ai nuk arrestohet brenda këtij harku kohor, atëherë nis gjykimi i tij në mungesë.
Ndaj Talo Çelës, është pezulluar procesi edhe për vrasjet e dyfishta në Durrës, ku mbetën të vrarë katër persona, Anxhelo Avdia, Renato Avdyli dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia, ngjarje të ndodhura në vitin 2020. Ai dyshohet se është personi që urdhëroi këto vrasje, për shkak të humbjes së një sasie të konsiderueshme parash, të grabitura në Rinas.
/abcnews.al