Me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Ministria e Mbrojtjes organizoi një paradë ku parakaluan ushtarakët shqiptarë dhe mejtet luftarake. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, kryeministri Rama renditi disa nga sfidat që ka në të ardhmen Aleanca Euroatlantike.
“Ekstremizmi i dhunshëm, pavarësisht kapitullimit të Shtetit Islamik nuk është mposhtur. Doktrina fanatike e tij nuk mund të shfaroset vetëm me forcën e armëve , por mbi të gjitha me forcën e mendjes dhe shembullit që mishëron kjo aleancë e madhe. Nacionalizmi në rritje, kriza e refugjatëve sirianë, apo edhe emigrantëve në Mesdhe, si dhe lufta kibernetike që po merr përmasa gjithnjë e më kërcënuese janë rreziqe reale, të cilat kanë nevojë për një përgjigje të përbashkët, ku secili ka vendin dhe rolin e vet. E gjithashtu mos të harrojmë se NATO duhet të përballet edhe me doktrina agresive të faktorëve të tretë”, tha Rama.
Gjithashtu, Rama theksoi se integrimi i Kosovës në NATO do të ndihmojë që paqja në rajon të mos jetë ende e brishtë. Sipas tij, përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është vizion strategjik.
“Ne ndihemi mjaft mirë që integrimi i Malit të Zi më parë dhe Maqedonisë më pas në NATO ka krijuar një hapësirë të gjerë në Ballkan për NATO-n dhe ka forcuar stabilitetin e Ballkanit duke çuar drejt mbushjes së një vakumi të krijuar pas ndryshimeve tektonike që pësoi gadishulli nga shpërbërja e Jugosllavisë. Në mënyrë që paqja ende e brishtë në këtë rajon të mos sfidohet kurrë në të ardhme, dhe në mënyrë që Ballkani të mos jetë kurrë më, porta përmes së cilës influencat e vendeve të treta arrijnë të depërtojnë deri në zemër të Europës është e domosdoshme që edhe Kosova të bëhet më herët se vonë pjesë e integruar Aleancës Euroatlantike. Shqipëria beson shumë fort se integrimi i Kosovës, me ushtrinë e saj kombëtare në familjen euroatlantike është një domosdoshmëri, jo vetëm për Kosovën thjesht, as për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Përfshirja e plotë e Ballkanit në NATO është padyshim një vizion strategjik dhe përfshirja e Kosovës në NATO do të ishte një kapital i shtuar përmes së cilës arkitektura e sigurisë evropiane dhe euroatlantike në kontinent të marrë një trajtë të plotë dhe të sigurt”, tha kreu i qeverisë.
“10 vjetori i anëtarësimi është moment krenarie dhe reflektimi për ç’ka Shqipëria ka bërë në këto 10 vite dhe për çfarë duhet të bëjë më tutje. Jemi dhe do të mbetemi të përkushtuar për t’iu përgjigjet siç duhet, ku duhet dhe kur duhet çdo thirrjeje të Aleancës Euroatlantike”, tha më tej Kryeministri./abcnews.al