Partitë Holandeze kërkojnë vendosjen e vizave me Shqipërinë

schedule12:43 - 29 Mars, 2019

schedule 12:43 - 29 Mars, 2019

Tre parti holandeze kërkojnë vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë për shkak të rasteve në rritje të kriminalitetit shqiptar në vend. Partia e Lirisë, Partia Kristiandemokrate dhe ajo Socialiste, e cilësojnë si një hap të domosdoshëm për sigurinë në vend.

Rivendosja e regjimit të vizave do t’i jepte fund aktiviteteve kriminale të shqiptarëve në Holandë. Është kjo deklarata e përbashkët e tre partive holandeze, Partia e Lirisë, Partia Socialiste dhe ajo Kristiandemokrate.

Sipas të dhënave të fundit të policisë holandeze, kriminelë nga vendet e Ballkanit, janë shumë aktivë në periferitë e Amsterdamit si dhe kontrollojnë tregun e kokainës në qytet.

Sipas Partisë së Lirisë, e cila është një lëvizje populiste dhe e krahut të djathtë, faji i kësaj situate është dhe heqja e vizave për shqiptarët. Sipas kësaj partie është normale që një gjë e tillë të ndodhë, në momentin që kriminelët mund të përfitojnë nga mungesa e kontrollit.

Van Torenburg, kreu i Grupit Parlamentar të Kristiandemokratëve gjithashtu, kërkon vendosjen e menjëhershme të vizave për shqiptarët pasi do të donte të dinte se kë ka në shtëpi.

Sipas tij shumë shpejt do të ketë dhe një debat parlamentar për këtë temë. Edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Van Dijk, ka rënë dakord duke deklaruar se duhet një ndërprerje e menjëhershme e lëvizjes së lirë për shqiptarët me Holandën./abcnews.al