Mielli, vaj, sheqeri dhe orizi, janë 4 produktet që Bordi i Transparencës ka vendosur që të kontrollojë dhe caktojë çmimin e shitjes së tyre.
Konkretisht pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:
104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg),
123 lekë/kg për sheqerin (1 kg),
321 lekë/litër për vajin e lulediellit,
90.5 leke/kg për miellin masiv.
Këto 4 produktet sipas ministres Delina Ibrahimaj do të mbahen nën vëzhgim nga Bordi i Transparencës dhe do të caktohet çmimi deri në përfundim të krizës.
Kujtojmë se Bordi i Transparencës përveç këtyre 4 produkteve të shportës, vendos edhe për çmimet e karburanteve. Herën e fundit u vendos rritje të çmimit të karburanteve, ku konkretisht një litër naftë shitet me 133 lekë.
Njoftimi:
Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 1 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:
Miell
Vaj luledielli
Sheqer
Oriz kokërrgjatë
Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte.
Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.
Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.
c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.
Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:
a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg.
b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:
104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)
123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)
321 lekë/litër për vajin e lulediellit
90.5 leke/kg për miellin masiv
Ky vendim hyn në fuqi në datë 05.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.
/abcnews.al/