Masakra në Bucha ka tronditur opinionin ndërkombëtar, dhe ka nxitur vendet të vendosin sanksione shtesë kundër Rusisë. Ndërkohë kanë dalë në dritë detaje të tjera në lidhje me komandantin rus i quajtur “Kasapi i Bucha-s” pasi u akuzua për kryerjen e krimeve lufte dhe mizori në këtë qytet, duke zbatuar kështu urdhrin e Putin, sipas Daily Mail.
Nënkoloneli Azatbek Omurbekov, komandant i Brigadës së 64-të, është bekuar nga Kisha Ortodokse në fund të vitit të kaluar.
Omurbekov akuzohet se kreu masakër në Bucha, një qytet në periferi të kryeqytetit ukrainas Kiev, i cili u pushtua nga forcat e Kremlinit deri në tërheqjen e tyre javën e kaluar.
Imazhet e tmerrshme të civilëve të vrarë nga forcat ruse në Bucha para se të tërhiqeshin, kanë shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kanë nxitur vendet perëndimore të dëbojnë dhjetëra diplomatë të Moskës dhe të propozojnë vendosjen e sanksionve të mëtejshme, duke përfshirë ndalimin e importeve të qymyrit nga Rusia.
Omurbekov, i cili është rreth 40 vjeç, iu dha një medalje për shërbimin e jashtëzakonshëm në 2014 nga Dmitry Bulgakov, zëvendësministri rus i Mbrojtjes, por tani akuzohet se ka urdhëruar përdhunimin, plaçkitje dhe vrasjen e qindra civilëve ukrainas, raporton abcnews.al.
Sipas InformNapalm, Omurbekov u bekua nga një prift ortodoks në nëntor të vitit të kaluar përpara se të fillonte ofensivën në Ukrainë. Sipas ligjit ndërkombëtar, një komandant ushtarak është përgjegjës për çdo krim lufte të kryer nga trupat e tij.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) jep verdiktin për mosmarrëveshjet midis shteteve, por nuk mund të ndjekë penalisht individët. Nëse GJND-ja do të vendoste kundër Rusisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të ishte përgjegjës.
Por Moska mund të vendosë veton ndaj çdo propozimi për ta sanksionuar atë si një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit. Nëse hetuesit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) gjejnë prova të mizorive të kryera nga njerëzit e Omurbekov, prokurori do t’u kërkojë gjyqtarëve të GJNP-së të lëshojnë urdhër-arresti për të sjellë përpara drejtësisë në Hagë të gjithë përgjegjësit.
Dhe për shkak se Rusia nuk është anëtare e gjykatës, Putini nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar. Individët e dyshuar për krime lufte që udhëtojnë në një vend tjetër mund të arrestohen.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tronditi OKB-në pasi akuzoi Rusinë për kryerjen e ‘gjenocidit’ në Ukrainë, duke krahasuar ushtrinë e Moskës me grupin terrorist të Shtetit Islamik dhe duke kërkuar që Putini të dënohet për krimet në Ukrainë
Zelensky tha gjithashtu se trupat ruse nuk ndryshojnë nga terroristët e tjerë.
/abcnews.al