Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është prioritet kyç i Ministrisë së Drejtësisë. Këtë e konfirmoi në një konferencë për shtyp Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, sëbashku me homologun holandez, Ferdinand Grapperhaus.
“Prioritet kyç i Ministrisë së Drejtësisë është lufta kundër korrupsionit si prioritet i BE për çeljen e negociatave dhe për progresin ekonomik, shoqëror të Shqipërisë, sëbashku dhe me partnerët tanë kjo do të jetë një betejë në vazhdim. Bashkëpunimi mes dy vendeve tona ka qenë i ngushtë dhe do thellohet. Holanda është dhe do mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”.
Ajo tha se në këtë kuadër është nënshkruar dhe dokumenti i bashkëpunimit kundër krimit me Holandën, ekspertiza e së cilës është pjesë e procese reformuese.
“Në kuadër të këtij bashkëpunimi kemi nënshkruar dokumentin e bashkëpunimit kundër krimit dhe kemi konfirmuar interesin e përbashkët në fushën e sigurisë, kundër krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër Krimit. Do t’u mundësojë prokurorëve bashkëpunimin me kolegët e tyre duke rritur shkëmbimin dhe rezultatin në luftën kundër krimit, terrorizmit dhe korrupsionit duke e sjellë Shqipërinë më pranë BE. Ekspertiza e Holandës është pjesë e proceseve reformuese. Lufta kundër krimi do u japë shqiptarëve një shtet më të mirë dhe perspektivën evropiane”.
Në të njëjtën linjë, edhe homologu holandez e vuri theksin te fuqizimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa ka vlerësuar hapat e Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
“Kam pasur një vizitë të frytshme në Shqipëri. Duke folur me ju, autoritetet, prokurorinë dhe shumë institucione të tjera ka qenë kënaqësi. Prej dokumentit të bashkëpunimit që kemi nënshkruar kemi shprehur synimin tonë dhe kemi rënë dakord që do ta fuqizonim.
Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara në një proces që është shumë mbresëlënës. Ajo që ka arritur Shqipëria është mbresëlënëse. Hapa janë marrë gjatë viteve të fundit. KLGJ, KLP dhe Inspektorati i Lartë. Ekziston nevoja për të finalizuar organet e specializuara si SPAK si strukturë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit”.
Sipas tij procesi i vetting-ut është kyç dhe madhor në këtë proces.
“Vetting-u është kyç në këtë proces dhe madhor. E ka detyruar Shqipërinë të shtyjë formimin e institucioneve të reja kushtetuese dhe institucioneve të tjera dhe kjo na duhet për shtetin e së drejtës. Të luftojmë sëbashku kundër krimit të organizuar kombëtar, i cili ka ndikim negativ në dy popujt tanë. Ky është një çmim që duhet paguar për një të ardhme më të mirë”.
Ministri holandez Grapperhaus tha gjithashtu se është rënë dakord për disa masa konkrete që të kalohet te procesi i përbashkët hetimor.
“Mandati im përfshin rendin, qetësinë dhe sigurinë në Holandë. Kam folur me homologun tim dhe kemi shprehur vullnetin për bashkëpunimin dhe kemi rënë dakord për disa masa konkrete që të kalohet te procesi i përbashkët hetimor”.
I pyetur për protestën e opozitës, Grapperhaus tha se dalja nga Kuvendi nuk është mënyra për të zgjidhur problemet dhe shkon kundër parimeve demokratike. /abcnews.al