1 milion euro, kafja me vëllanë dhe sufllaqja e pakonsumuar në makinë, minutat e fundit të Iljaz Çalit para ekzekutimit

schedule09:48 - 5 Prill, 2022

schedule 09:48 - 5 Prill, 2022

Janë bërë më shumë se 36 orë nga ekzekutimi i Iljaz Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa policia dhe prokuroria kanë pak ose aspak prova në dorë të gjetura në vendin e ngjarjes që mund të çojnë në identifikimin e autorit apo autorëve. Autorët nuk kanë lënë asnjë gëzhojë në vend, ndërsa deri më tani nuk është gjendur asnjë makinë e djegur siç ndodh në raste atentatesh të ngjashme, gjë që e bën këtë vrasje disi të ndryshme nga të tjerat.

Autorët kanë përfituar nga errësira në rrugë duke u zhdukur menjëherë pas ekzekutimit të Iljaz Çalit, i cili siç mëson abcnews.al ka humbur jetën prej dy plumbave të marrë në trup, ku njëri i ka shkaktuar dëmtime në pjesën abdominale, kurse tjetri në qafë duke mos i dhëën asnjë mundësi shpëtimi.

Pasi nuk gjetën asgjë në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë këqyrën makinën e viktimës, e cila ishte e marrë me qira dhe brenda saj nuk gjetën asgjë të jashtëligjshme. Rezulton se 37-vjeçari Iljaz Çali kishte pirë një kafe me të vëllain Zeqirin në një nga zonat e Tiranës dhe më pas është nisur për në shtëpi. Gjatë rrugës ai ka marrë edhe një sufllaqe në një “fast food” në rrugën e Elbasanit, i cili u gjet nga policia i pakonsumuar në makinë.

Prokuroria po heton ne disa pista për vrasjen e Çalit, ku njëra prej tyre është ajo e konfliktit për shkak të kromit në Bulqizë, pasi Çali me të vëllanë kanë një kompani që nxjerr këtë mineral. Në dëshminë e tij, vëllai i Iljazit, Zeqiri ka deklaruar se kanë patur konflikt me dy persona për shkak të kromit, ku njëri prej tyre i ka vëllezërve 1 milion euro borxh.

Ai mësohet të ketë thënë se këtij personi i kanë dhënë më shumë se 2 400 ton krom, për të cilin nuk kanë marrë pagesën prej disa vitesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!