Debat në komisonin e jashtëm për largimin e diplomatëve

schedule18:14 - 27 Mars, 2019

schedule 18:14 - 27 Mars, 2019

Ministri në detyrë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka paralajmëruar të tjera shkarkime në institucionin që është ngarkuar të drejtojë. I thirrur për të raportuar në komisionin e jashtëm ministrit në detyrë i ka kërkuar sqarime mbi këto largime deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari.

Ka më pak se një vit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, por i ka mjaftuar për të arritur në përfundimin se diplomacia shqiptare ka çaluar në 5 vitet e fundit.

“Nëse për 5 vite ka pasur punë të zellshme nuk ka nevojë për përmirësime? Jo. Kjo nuk qëndron. Me thoni ju nëse unë duhet të jem thjesht repredikuesi pasiv i një politike që ka ekzistuar deri tash? Jo unë jam pjesë e trashëgimisë së asaj ministrie sepse kam shërbyer edhe si zv/ministër, por po ashtu jam i gatshëm të thelloj reformat dhe të ndërmarr veprime të guximshme, të cilat nuk janë cenim i punës, por parashtrojnë kushtet objektive që të rinjtë dhe të reja e këtij vendi me rezultate të shkëlqyeshme të bëhen pjesë e diplomacisë”, tha Cakaj.

I thirrur në komisionin e jashtëm për të folur për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ministri në detyrë Gent Cakaj i duhej të sqaronte opozitën e re në këtë komision se ndryshimet janë të domosdoshme në institucionin që i është ngarkuar nga kryeministri që ta drejtojë.

“Për një pjesë prej tyre është shkëputur për shkak se me sjelljen e tyre kanë tejkaluar sjelljen dinjitoze të diplomatit. Për një pjesë prej tyre ka probleme të evidentuara me sjelljen e tyre dhe për pasojë ka masa disiplinore dhe për një pjesë të tyre thjesht kanë qëndruar në sistem tepër gjatë dhe kanë pasur kontribut tepër pak për të merituar vazhdimin mëtejmë në shërbimin diplomatik të shtetit shqiptar”, tha ai.

Të tjera valë ndryshimesh paralajmëron ministri në detyrë Gent Cakaj. Por këto masa nuk e bindin deputeten Rudina Hajdari se drejtuesi i ministrisë po bën gjënë e duhur.

“Ish-ministri i Jashtëm Bushati në qeverinë tuaj tha që po lë një grup të shërbimit diplomatik që është më i afti. Ai ishte gati gjashtë vjet ministër. Çfarë bëri ky djalë kaq kohë në atë shërbim? A e rriti cilësinë e duhur? Pra kemi një proces shumë të gjatë”, tha Hajdari.

“Zoti Bushati për ju nuk është një djalë, por është ministri me mandatin më të gjatë në cilësinë e kryediplomatit në historinë e pluralizmit të shtetit shqiptar. Bushati ka thënë një të vërtetë të madhe që ka lënë një administratë ambicioze pas vetes, e ndërtuar ndër vite. Kjo nuk do të thotë që nuk ka nevojë për përmirësime”, tha Cakaj nga ana tjetër.

Rolin e rregullatorit midis përfaqësuesit të qeverisë dhe opozitës e mori përsipër kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.

“Shumë mirë e keni bërë sepse opozita atë punë ka. Sigurisht duhet të ankohet për çdo gjë. Siç referojnë dhe mediat sot ka lobuar edhe kundër ambasadorëve të huaj që duhet të vijnë në Shqipëri se mbaroi hallet e Shqipërisë dhe tani merret edhe me lobingun kundër ambasadorëve që duhet të vijnë në Shqipëri. Harxhon dhe para madje për këtë punë, por kur e humb toruan, s’ka burrë nëne që të kthen në dine thotë populli, kështu që vazhdoni punën që keni nisur. 20 janë pak”, tha Balla.

Për një pikë ranë të gjithë dakord, hapat e shpejtë që duhet të hidhen për të përmbushur kushtet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!