“Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi në një fshat të largët të Mallakastrës, atje ku ndodhet një familje që u nda në 4 pjesë prej një tragjedie të dhimbshme.
Atje na pret Elisabeta Jaupaj, nënë e 4 fëmijëve. Dy prej tyre, Antonio e Albina, ndodhen aty mometalisht. Sytë e tyre i kanë të mbushur në lot… babai i tyre nuk është më. U shua në një aksident me këtë zetor, të cilin e bleu me borxhe për të mbajtur me bukë familjen.
Prezent në këtë aksident tragjik, ishte Antonio, i cili është 15 vjeç. Lotët nuk i pushojnë këtij djali, ndërsa na tregon me zërin që i dridhet, se çfarë ndodhi.
“Ditën që ika me babin për punë, vajtëm me një fshat tjetër. Ngarkuam zetorin me pleh tek karroceria. Duke ecur, zetori u batua… (qan) në ato momente nuk dija çfarë të bëja, ulërisja, kisha frikë… Qëkur iku babi, ditët kanë ardhur më të vështira. Kur shikoj zetorin, më duket sikur babin e kam ende gjallë (qan). Më mungon shumë se, ditët që kaloja me të i kisha shumë të bukura.”-rrëfen Antonio.
Lotët i mbulojnë fytyrën 15 vjeçarit, kur na tregon se shpesh babai i vjen në ëndërr.
“ E shoh në ëndërr, më vjen tek krevati, më thotë fli gjumë se babi është këtu. Çohem natën e qaj… Më duket sikur jam pa prindër fare… dua shumë ta bashkoj familjen, por (qan) për shkak të ekonomisë ne nuk mundemi.”-rrëfen 15 vjeçari.