Pas pauzës së kombëtareve, në fundjavë rikthehen edhe kampionatet. Në Seria A, Torino do të përballet me Salernitanën. Një takim shumë i rëndësishëm për torinezët, të cilët kanë 8 ndeshje pa fituar në kampionat.
Ivan Juric ka theksuar se ekipi ka pasur problematikat e tyre, ndërsa nuk lë pa përmendur se edhe gjyqtarët kanë ndikuar në rezultatet e tyre në dy-tre ndeshje.
Ndër të tjera, Juric foli edhe për Etrit Berishën, ku u shpreh se gardiani shqiptar ka zhvilluar lojë të mirë me Interin dhe Bolognan, ndërsa synojnë që në ndeshjet e mbetura të jetë titullarë.
“Pushimi ka shërbyer për të reflektuar. Ka pasur problematika, por në këto tetë ndeshje kemi goditur 6 herë shtyllën, kemi pësuar 4 gabime të gjyqtarëve dhe kemi pësuar 3 gola në minutat e fundit.
Kemi shumë për të përmirësuar, por ndonjëherë futbolli është kështu”, ka thënë trajneri i Torinos në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes kundër Salernitanës.
Berisha është paraqitur mirë në dy ndeshje dhe më pas ndodhi një gabim ose jo gabim në Gjenovë. Por ai ka luajtur shumë mirë kundër Interit dhe Bolognas: synimi im është që të vazhdoj me të titullar”, ka theksuar Juric. /f.a/abcnews.al