Kryetari i KQZ i kërkon mbështetje Kuvendit

schedule15:45 - 25 Mars, 2019

schedule 15:45 - 25 Mars, 2019

Kryetari i Komisionit qendror të zgjedhjeve ka kërkuar mbështetjen e Kuvendit që të arrihen standardet e kërkuara në zgjedhjet e 30 qershorit. Këtë kërkesë Klement Zguri e bëri gjatë raportimit vjetor në komisionin e ligjeve për aktivitetin e institucionit që drejton.

E kanë thirrur për të raportuar për vitin që shkoi, por kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve, Klement Zguri, kërkoi ndihmë për atë që mund të ndodhë në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit të këtij viti.

“Përplasja politike me shumë gjasë nuk ka për ta lënë KQZ-në pa u përfshirë në vorbullën e vet sepse përplasja politike do godasë dhe zgjedhjet lokale, së paku në administrimin e tyre. Nëse ndodh atëherë Kuvendi duhet t’i japë mbështetje të përforcuar KQZ-së. Duhet të mbrojë pavarësinë e saj. Duhet ta inkurajojë në zbatimin me fanatizëm të ligjit”.

Zgjedhjet meritojnë një administratë të fortë dhe profesionale tha kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara anëtarëve të komisionit të ligjeve dhe problemet janë të shumta në këtë drejtim.

“Këtë gjë nuk e ka në dorë vetëm KQZ, sidomos Kuvendi mund të bëjë shumë në këtë drejtim që zgjedhjet lokale të zhvillohen me standard duhet që administrata zgjedhore të jetë e besueshme. Jo vetëm për ata që konkurrojnë, por në radhë të parë për ata që votojnë. Kuvendi mund të bëjë shumë edhe në këtë drejtim. Ju lutem mbajeni në vëmendje këtë shqetësim sepse mund të ketë nevojë për ndërhyrjen tuaj”.

Në raportimin për veprimtarinë e institucionit që drejton gjatë vitit 2018, Klement Zguri tha se është gati drafti-udhëzimin për partitë politike për keqpërdorimin e burimeve shtetërore. I pyetur nga deputetët e mazhorancës se çfarë ka bërë Komisioni qendror i zgjedhjeve për të hetuar transparencën e financave të Partisë Demokratike, Klement Zguri tha se është kërkuar një hetim i thelluar, i cili është refuzuar të miratohet nga anëtarët e KQZ të propozuar nga të majtët./abcnews.al