Plori: Synojmë finalen, me Partizanin e vështirë. Latifi? Lojtari më i mirë i skuadrës

schedule11:51 - 30 Mars, 2022

schedule 11:51 - 30 Mars, 2022

Vllaznia do të përplasë “brirët” me Partizanin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, takim që do të luhet ditën e nesërme në “Elbasan Arena”, ora 17:45.

Një sfidë ku shkodranët e Elvis Plorit do të kërkojnë fitoren për të shtruar rrugën drejt finales, ndërsa synojnë edhe fitimin e trofeut për të siguruar një vend në kupat e europës.

Në konferencën për shtyp, trajneri Plori foli për përballjen me demat, teksa është shprehur se përballja me të kuqtë ka qenë gjithmonë e vështirë.

Sfida ndaj Partizanit – “Kemi pritur për këtë mundësi, një sfidë me ta është gjithmonë e rëndësishme. Shpresoj që lojtarët të japin më të mirën dhe të fitojmë, është një kompeticion me dy takime. Kërkojmë të jemi në finale, ndeshja është e fortë sepse edhe Partizani këtë do.”

Mungesat – “Kemi pasur disa mungesa nga sfida me Egnatian. Stafi mjekësor ka bërë më të mirën dhe sot do konkretizohet grupi i lojtarëve. Kupa është një tjetër lojë, ta harrojmë atë me Egnatian dhe humbjen. Lojtarët do jenë në tjetër marsh. Gurishta është i konfirmuar se mungon, me gjithë përpjekjet mjekësore.”

Latifi – “Latifin e kemi lojtarin më të mirë të skuadrës edhe me statistika. Forma e tij dhe angazhimi janë një ndihmë e madhe për ne.”

Sezoni – “Çdo javë që kalon, tanimë kuptohet se intensiteti i ndeshjeve ka specifika. Të përqëndrohemi te ndeshja e radhës. Besoj se edhe lojtarët që kanë pasur problem, do jenë gati për në fundjavë me Kastriotin. Kemi një emër të madh përballë, edhe ne jemi Vllaznia dhe hyjmë në fushë për maksimumin. Jemi të fortë dhe duam të marrim maksimumin”, përfundoi Plori. /f.a/abcnews.al