Ky është pallati ku fshihej prej një jave i shumëkërkuari Nuredin Dumani i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme gjatë një aksioni blic, i plagosur.
Prej një jave Dumani kishte marrë një shtëpi me qira në këtë pallat. Një prej banoreve të këtij pallati tegon çfarë ka parë mbrëmjen e djeshme gjatë aksionit të policisë ku iu vunë prangat të shumëkërkuarit.
“Mbrëmë pamë një tmerr, po u binin dyerve me sende të forta. Unë banoj në kat të tretë. Ata ndodheshin në kat të katërt. Isha dhe vetëm, u tmerruam mbrëmë. Ata sipër rrinë me qira, para këtij që ka ardhur tani ishte një italian. Ka ikur para një jave. U trokita para nja 3 ditëve u thashë mos më bëni zhurmë. Na fal na fal. Pastaj më tha nuk jam unë që bëj zhurmë është ai lart. Epo na fal që të bezdisa i thash”, tha ajo.
Si ndodhi arrestimi mbrëmë?
Nuredin Dumani u vu në pranga nga RENEA në një banesë në lagjen Apolonia Fier, ku dyshohet se po merrte ndihmë mjekësore ambulatore, pasi ishte plagosur më armë zjarri. Sipas burimeve Dumani ishte i armatosur. Burimet i thanë abc se Nuredin Dumani kurohej fshehtas pasi ishte në kërkim policor. Ai dyshohet të jetë plagosur në nje ngjarje që ndodhi dje pasdite pranë fshatit Papër në rrugën Elbasan-Peqin, ku dyshohet të ketë pasur në përplasje me armë.
Policia që shkoi ne vendngjarje rreth orës 17 pasdite, gjeti një makine tip BMW X5 të ndaluar pranë parkingut të një biznesi privat, pasi ishte qëlluar me të paktën 13 plumba kallashnikovi, ndërsa ishte në lëvizje. Burimet nga grupi hetimor thane se të shtënat kanë zgjatur ndërsa makina lëvizi për rreth 1 km, derisa ndaloi.
Burimet i thanë abc se në këtë ngjarje, veç Nuredin Dumanit, dyshohet te jenë përfshirë edhe persona të tjerë, te shumëkërkuar për vepra të rënda penale.
Nuredin Dumani është i kërkuar për disa vepra të rënda penale. 37 vjeçari ishte shpallur në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Ai akuzohet si porositësi i vrasjes se vëllezërve Haxhia ne Durrës, në prill 2020 si dhe vrasjen e Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkozës po në Durrës në të njëjtin vit. Po ashtu Dumani është një nga personat e përfshire në grabitjen e parave në Rinas në 9 prill 2019.
/abcnews.al