Mbrëmjen e djeshme mori fund arratia e një prej personave më të kërkuar në Shqipëri, Nuredin Dumanin.
Ai është kapur rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, pasi policia mori informacion nga një telefonatë se Nuredin Dumani ishte i plagosur dhe ndodhej në këtë zonë.
Gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i Henrik Hoxhaj, 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.
Kush është Nuredin Dumani, armiqësia e tij me Talo Çelën
Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet e u sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Grupi Hetimor.
Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.
Dje rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.
Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri kallashnikov, (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit)./abcnews.al/