Andorra synon rezultat pozitiv ndaj Shqipërisë

schedule14:45 - 25 Mars, 2019

schedule 14:45 - 25 Mars, 2019

Andorra nuk dëshiron të dalë e humbur nga përballja me Shqipërinë. Skuadra vendase ka pasur rezultate pozitive në fushën e saj, kohët e fundit.

Mund të jetë në vend të 132-të në renditjen e FIFA-s, por nuk mund të nënvleftësohet. Andorra, rivali i sotëm i kombëtares kuqezi, ka një ecuri pozitive muajt e fundit, sidomos në fushën e saj.

Edhe pse në sfidën e fundit u mund 0-2 nga Islanda në shtëpi, sërish pati 4 barazime radhazi në “Estadi Nasional”, ndaj ekipeve si Emiratet e Bashkuara Arabe, Kazakistani, Gjeorgjia apo Letonia.

Pra, ekipi ynë përfaqësues nuk pritet ta ketë të lehtë për të realizuar objektivin, marrjen e tri pikëve. Skuadra e vendit të vogël katalanas u përgatit me besim dhe me kujdes, duke pasur shpresë për të shmangur të paktën humbjen. Edhe mediat vendase kanë po këtë linjë.

“Diari d’Andorra”: Seleksioni përballë një rivali të tronditur! Andorra luan në “Estadi Nasional” ndaj një Shqipërie në krizë pas shkarkimit të trajnerit!

“El Periodik”: Andorra ndeshet me një Shqipëri të turbulluar për ndryshimin e trajnerit! Gjithsesi, ka shqetësim nga rrezikshmëria e skuadrës mike, pavarësisht shkarkimit të Panuçit!

Trajneri Koldo Alvarez bën thirrje për realizëm.

“Shqipëria është një ekip që të zë në befasi me shpejtësi në momentin kur sulmon, – tha ai në konferncën për shtyp, – ka lojtarë krahu që dalin përpara dhe që kanë shumë cilësi. Kjo na i ndërlikon punët, por edhe ne jemi ekip i mirë dhe që kemi besim në vetvete. Objektivi është të mbahet dinamika e ndeshjeve të fundit në fushën tonë”.

Ndeshja pritet të luhet në prani të një numri relativisht të vogël tifozësh, në stadiumin me kapacitet rreth 3 300 vende./abcnews.al