Besimtarët bektashinj festojnë sot ditën e Sulltan Novruzit, një festë që simbolizon pranverën dhe rigjallërimin.
Është dita e Sulltan Novruzit, festë që për bektashinjtë simbolizon ardhjen e pranverës, ringjalljen e besimit dhe shpresës e që pritet me shumë hare në çdo familje. Dita e Sulltan Novruzit njihet si ditëlindja e Imam Aliut në Qabé. “Novruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Ditë e re”, ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.
Besimtarët në këtë ditë të shënuar urojnë njëri- tjetrin për më shume mbarësi dhe shprese. Si edhe në festa të tjera fetare, gatime të caktuara që ruhen si tradite brez pas brezi, lidhen pikërisht me ditën e Sulltan Novruzit.
Qindra besimtare bektashinj vizitojnë në këtë ditë selinë e Bektashinjve në Tiranë, ku mbahet ceremonia kryesore. Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj përveç urimit për të gjithë besimtarët kishte edhe një mesazh drejtuar të rinjve. Dita e Sulltan Novruzit festohet edhe në vende të tjera të botës myslimane, në ditë te ndryshme mes datave 20 deri 26 Mars./abcnews.al