Kriza energjitike, rritja e çmimeve e gripi i shpendëve, Berisha: Kjo pranverë duhet të jetë e protestave të mëdha

schedule12:41 - 24 Mars, 2022

schedule 12:41 - 24 Mars, 2022

Nga foltorja e parlamentit, ku po zhvillohet një mocion me debat për rritjen e çmimeve, ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë fajtore qeverinë për situatën në të cilën ndodhet vendi aktualisht  në mes të një krize energjitike, rritje çmimesh dhe një epidemie të gripit të shpendëve.

Berisha gjatë fjalës së tij mori me radhë të gjitha problemet që shqetësojnë vendin aktualisht dhe deklaroi se përpos asaj që po ndodh në botë, në Shqipëri po abuzohet. Ai akuzoi qeverinë se pasurohet gjatë natës në kurriz të mjerimit të shqiptarëve.


“Keni parë, ministra që vrapojnë prapa dyqaneve për t’u gënjyer ju se u qan zemra nga çmimet e rritura, spekulimet, të lidhura direkt me xhepin dhe kontot e tyre. Keni dëgjuar këtu ministra, kryeministrin, të rrahë gjoksin për suksesin në luftë kundër Covid-19, duke shpallur mbi 20 mijë të vdekur, numër kaq i lartë, janë njerëz ata s’janë numër…Energjia, lajmëtari i pari është vetë kreu i qeverisë. Nuk ndodh në botë që të bëhet zëdhënës i kompanive të naftës pa pasur aksione të veta në këto kompani. Ja dakord që tregu ka pësuar goditje nga lufta. Në Shqipëri nafta si në asnjë vend tjetër ka 4 taksa, e tarifa të larta… Ushqimet? Çdo shtet ka rezervën strategjike. Këtu janë të gjitha në oborrin e kryeministrit. Ku dyshohet për aksione, vepër kriminale, fatkeqësi.”

Po ashtu, ish-kryeministri akuzoi ministrinë e Bujqësisë se ishte në dijeni të prezencës së gripit të shpendëve dhe se e mbajtën në fshehtësi lajmin për të ruajtur, sipas tij, reputacionin e qeveritarëve.

“Na sollën edhe gripin e pulave. Duke shkelur çdo ligj, mbahej sekret qeveritar. Këto janë sëmundje që duhet të deklarohen kombëtarisht, por edhe ndërkombëtarisht. Po njerëzit? Le të sëmureshin njerëzit…”

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe që kjo të jetë siç e quajti ai, pranvera e protestave të mëdha. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!