Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD: Të ndalohet gjuha e urrejtjes, të nisim punën për bashkim

schedule22:32 - 23 Mars, 2022

schedule 22:32 - 23 Mars, 2022

Kryesia e Partisë Demokratike e mbledhur ditën e mërkurë ka kërkuar që të shmanget gjuha e urrejtjes mes demokratëve.

Gazetari i Abc Juxhin Mustafaraj, ka zbardhur qëndrimin e kryesisë së PD drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj.

Kryesia e PD apelon që të ndërpriten menjëherë proceset e njëanshme të cilat jo v etëm që nuk ndihmojnë në bashkimin e partisë por edhe e përçajnë më shumë.

Gjithashtu në vendimin e kryesisë së PD i bëhet sërish apel palës tjetër (Foltores) që sëbashku të ngrenë një grup pune për bashkimin e demokratëve.

Qëndrimi i kryesisë së PD:

Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.

Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.

Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune ti’ bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!