Itali, rrëmbehet autobusi me nxënës

schedule22:41 - 20 Mars, 2019

schedule 22:41 - 20 Mars, 2019

Frika për akte terroriste ka përfshirë të mërkurën edhe Italinë, ku një shofer afrikan ka rrëmbyer dhe më pas i ka vënë zjarrin një autobusi me nxënës.

Rrëmbimi i një autobusi me nxënës ka shkaktuar momente paniku ditën e mërkurë në Itali. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit që ka ndërruar kurs papritur dhe pasi ka kaluar një postobllok policie në rrethinat e Milanos i ka vënë zjarrin autobusit, duke kërcënuar se do të vetëvritej brenda tij.

Për fat të mirë nga zjarri nuk ka patur persona të lënduar, por vetëm 14 nxënës që janë asfiksuar lehtësisht e që më pas janë dërguar për të marrë mjekim në spital.

Autori i aktit ka qenë një 47-vjeçar senegalez me shtetësi italiane, i cili ka deklaruar se e ka kryer aktin në shenjë proteste ndaj vdekjeve të emigrantëve në Mesdhe. Agresori ka shkaktuar frikë tek fëmijët në momentin kur ka devijuar kursin, pasi është shfaqur me një thikë në dorë dhe u ka thënë atyre se, nga autobusi nuk do të zbriste askush.

Ka qenë një nxënës që ka lajmëruar përmes telefonit prindërit për sa po ndodhte dhe këta të fundit karabinierët. Forcat e rendit kanë ngritur postoblloqe të shumta për të ndaluar avancimin e autobusit. Drejtuesi i tij pasi ka kaluar një prej tyre ka humbur kontrollin dhe është përplasur.

Në atë moment ai ka spërkatur me benzinë autobusin nga brenda dhe i ka vënë flakën me një çakmak. Është dashur ndërhyrja e karabinierëve, që kanë thyer xhamat e dritareve për të shpëtuar nxënësit dhe kanë vënë në pranga shoferin e mjetit.

Ndaj tij janë ngritur akuzat e rrëmbimit të personit, zjarrvënies dhe rezistencës ndaj zyrtarëve publikë, por ndërkohë autoritetet nuk përjashtojnë as pistën e terrorizmit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!