Trazirat në palamentin e Maqedonisë, gjykatësja: Dënimet, në bazë të provave

schedule20:15 - 20 Mars, 2019

schedule 20:15 - 20 Mars, 2019

Gjykatësja Dobrila Kacarska, e cila të premten e kaluar vendosi për 211 vite burg për të akuzuarit e ngjarjeve së dhunshme të 27 Prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë, deklaroi se dënimet i ka dhënë në bazë të provave. Në një intervistë televizive, Kacarska komentoi edhe dënimin e shqiptarit Abdulfeta Halimit, personi që i shpëtoi jetën deputetit Zijadin Sela.

Kjo është gjykatësja që të premten e kaluar 15 të akuzuarve për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë në vend, për ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit të vitit 2017, në Parlamentin e Maqedonisë shqiptoi 211 vjet dënime me burg. Katër ditë pas shqiptimit të dënimeve, Dobrila Kacarska tha për një televizion maqedonas, se dënimet i kishte shqiptuar konform ligjit dhe në mbështetje të provave të siguruara.

“Nuk pata asnjë fije dyshimi se të akuzuarit janë fajtorë për atë vepër penale për të cilën akuzohen”.

Kacarska në television “Prva TV” iu është përgjigjur edhe akuzave të kreut të aleancës opozitare për Shqiptarët, Ziadin Sela se dënimi me shtatë vjet burg i Abdulfeta Halimit, njëri ndër të akuzuarit, që shpëtoi Sela, është simbolikë e shqiptarit që i montohen akoma procese politike. Gjykatësja, pa e mohuar këtë, thotë se edhe ai është gjetur fajtor:

“Para së gjithash duhen sqaruar punët. Unë edhe gjatë shqiptimit të dënimit thashë: Është fakt i pamohueshëm se Abdulfeta Halimi kontribuoi që të shpëtohet jeta e deputetit Ziadin Sela, por të mos harrojmë, po ky i akuzuar është nëpunës policie të cilin e shohim qartë në kamera te dyert e hyrjes, me çelësa në dorë dhe jo vetëm këtu: Atë e shohim edhe para sallës së shtypit, sallës numër tre, aty ku u rrahën deputetë, gazetarë, nëpunës të policisë. I njëjti nuk po ndërmerrte asgjë që domethënë se ai e ka bërë veprën penale, kurse shpëtimi i zotit Ziadin Sela ndodh pasi ishte kryer vepra penale”, tha Kacarska duke saktësuar se në shqiptimin e dënimit është marrë parasysh edhe ky fakt, ndaj Alimi mori dënim thuajse gjysmë më të ulët se të tjerët.

Dobrila Kacarska është gjykatësja, të cilës i është besuar shumica e lëndëve të hapura nga Prokuroria e Posaçme Publike e që kanë lidhje me dyshimet për veprimtari kriminale e korruptive që mbështeten në të ashtuquajturat bomba politike – megaskandali i përgjimeve masive që çoi në ndërrimin e pushtetit në vend.

Ajo ka dënuar edhe ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe një varg bashkëpunëtorësh të tij. Të mërkurën në mbrëmje, kjo gjykatëse që karrierën e ka filluar në kohën e socializmit dhe që deri më sot nuk ka përjetuar kurrfarë rënie, tha se ndërgjegjen e ka të pastër për shkak se, sikurse u shpreh, pikënisje për çdo aktdënim ka provat dhe vetëm provat./abcnews.al