Një 38 vjeçar në Sukth të Durrësit ka njoftuar policinë pasi ka parë 3 persona në pronën e tij. Sipas policisë ata kanë qenë gazetarë të një emisioni investigativ. Uniformat blu raportojnë se gazetarët kanë pretenduar se “janë kanosur dhe ofenduar nga pronari i tokës por edhe pas insistimit të punonjësve të Policisë, se duhet të bënin kallëzim për pretendimet e tyre për kanosje, ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim dhe janë larguar, duke u shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri në rrugën nacionale”.
Njoftimi i policisë Durrës
Më datë 22.03.2022, është marrë njoftim se rreth orës 10:00, në vendin e quajtur “Ura e Tanës”, Manëz, Durrës, kishte ndodhur një konflikt. Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi si më poshtë: Shtetasi A. M., 48 vjeç, banues në Sukth, Durrës, ka kallëzuar se në pronën e tij ka konstatuar 3 persona të panjohur që kishin hyrë brenda pronës dhe nuk pranonin të dilnin. Nga verifikimet paraprake rezultoi se ata ishin gazetarë të një emisioni investigativ.
Gazetarët kanë pretenduar se janë kanosur dhe ofenduar nga shtetasi A. M., por edhe pas insistimit të punonjësve të Policisë, se duhet të bënin kallëzim për pretendimet e tyre për kanosje, ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim dhe janë larguar, duke u shoqëruar nga punonjësit e Policisë, deri në rrugën nacionale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të metejshme.
/abcnews.al