Nga Erisa Zykaj
Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian konsideron si një çështje urgjente hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Eurodeputetët e këtij komisioni të të gjitha grupeve politike cilësojnë, se në situatën e rrezikut që kanos kontinentin europian si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë, Rusisë nuk duhet t’i jepet asnjë shans për të influencuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke përfituar nga përçarja europiane.
Eurodeputetët mbështetën ministrin e punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë seancës së zhvilluar në Parlamentin Europian, mbi faktin, se procesi i zgjerimit nuk është më një çështje e besueshmërisë të Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por një çështje sigurie për rajonin dhe Bashkimin Europian.
Tineke Strik, eurodeputet: “Nuk duhet të ofrojmë asnjë shans Rusisë që të shtrijë influencën e saj në shtëpinë tonë. Kjo krizë historike kërkon bashkim, ndaj i bëjmë thirrje qeverisë së Bullgarisë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, si dhe presidencës së Bashkimit Europian të fillojë negociatat e anëtarësimit menjëherë”.
Thijs Reuten, eurodeputet:
“Të gjithë ata që kanë folur për proçedura të përshpejtuara të anëtarësimit këto ditë dhe të gjithë ata që e duartokasin këtë qasje, duhet të dinë që sinjali më domethënës dhe inkurajues për të gjithë vendet në këtë rrugëtim, është që të fillojnë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që nesër. ”
Andrea Schieder, eurodeputet:
“Ne duhet t’i përçojmë një sinjal të fortë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke treguar, se reformat janë kuptimplota dhe ato do të nderohen nga Bashkimi Europian. Si Parlament Europian ne e kemi thënë disa herë, që është koha për dritë jeshile për hapjen e negociatave me të dyja vendet. Po ashtu, korniza e negociatave të anëtarësimit është platforma perfekte për gjetjen e zgjidhjeve mbi çështjet bilaterale që janë në tryezë”
Stelios Kouloglou, eurodeputet
“Nëse kishte 10 arsye për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, tani kanë 100 arsye për ta bërë këtë”.
Ilhan Kyuchyuk, eurodeputet:
“Ne duhet t’i dërgojmë një sinjal të fortë Ballkanit Perëndimor, pasi nuk është vetëm një çështje kredibiliteti, por edhe sigurie e Bashkimit Europian”.
Rënia drastike e mbështetjes së qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për Bashkimin Europian e paraqitur nga ministri Bujar Osmani në Parlamentin Europian është tashmë sipas eurodeputetëve një tjetër këmbanë alarmi për hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por sipas ministrit Osmani, finalizimi i marrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është afër dhe tani kërkohet mbështetja e partnerëve europianë.
Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka zhvilluar një seancë shkëmbimi idesh me komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian. Kjo seancë është zhvilluar në një kontekst sfidues në vijim të 3 javëve të agresionit të regjimit aktual rus në Ukrainë. Parlamenti Europian, ashtu si dhe institucionet e tjera europiane janë të shqetësuar për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Kjo është reflektuar edhe me vizitën e shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell Fontelles në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Bosnjë Hercegovinë.
/abcnews.al