Autoritetet në Ukrainë kanë publikuar një video të filmuar me dron në momentin që shkatërrohet një bazë ushtarake ruse. Nga pamjet e filmuara shihet sesi artileria ukrainase godet nga kënde të ndryshme bazën.
Ndërkohë, zyrtarët e ushtrisë ukrainase kanë pretenduar se pothuajse 15,000 ushtarë rusë janë vrarë që prej nisjes së luftës më 24 shkurt. Në një postim të publikuar në llogarinë në Facebook të Stafit të Përgjithshëm të Ukrainës, zyrtarët thanë se 14,700 trupa ruse janë vrarë në 25 ditët e luftës.
Po ashtu, Ukraina ka njoftuar se një numër i madh i pajisjeve ushtarake ruse janë shkatërruar përfshirë rreth 476 tanke, mbi 200 avionë, helikopterë e dronë dhe rreth 1,487 makina të blinduara.
Këto shifra të paraqitura nga autoritetet ukrainase nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, megjithatë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë vlerësuar se të paktën 7,000 trupa ruse janë vrarë në luftime dhe 21,000 të tjerë janë plagosur.