Nga Ajgena Korbi
Dukej se pandemisë po i vinte fundi, por numri i të infektuarve me Covid në të gjithë botën ka pësuar rritje me 8%, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar shtetet të tregohen vigjilent ndaj koronavirusit.
Shtimi i të prekurve ka ardhur si pasojë e qarkullimit të variantit të Omicron, Ba2. Mutacioni nuk ka mbërritur në Shqipëri, por specialistët e Institutit të Shëndetit Publik nuk e përjashtojnë përhapjen e tij dhe në vendin tonë.
“Ka një tendencë rritje në disa shtete të Evropës. Situata parashikohet e qëndrueshme. Megjithatë Shqipëria nuk është e shpëkuptur nga vendet e tjera. Momentalisht nuk qarkullon, por nëse futet ky variant nuk është e pamundur rritja e rasteve”
Studimet e deritanishme tregojnë se nënvarianti i Covid ka transmetueshmëri më të lartë se Omicron ndërkohë shenjat që shfaq janë të ngjashme me të. Shuarja e mutacioneve dhe fundi i pandemisë sipas autoriteteve mund të vijë vetëm me rritjen e mbulesës vaksinale.
Aktualisht të prekurit më Covid në Shqipëri kanë pësuar rënie të ndjeshëm. Në të gjithë vendin ka 655 të infektuar aktiv, 42 prej të cilëve po marrin trajtim në spital.