Pak para shpërndarjes së protestuesve Policia e Shtetit i është drejtuar me një thirrje organizatorit të tubimit Gazmend Bardhi, të cilit i kërkon ruajtjen e qetësisë nga protestuesit, ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tyre.
“Veprimet e protestuesve janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal. Në rast se për 5 minuta nuk do të ndërprisni veprimet e kundraligjshme turma do të shpërndahet forcërisht nga Policia e Shtetit e cila do të përdorë forcën dhe mjetet e saj, sipas ligjit”, është thirrja që drejtoi policia e shtetit pak para largimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, drejt selisë blu ku dhe njoftoi përfundimin e protestës.
Por në një prononcim të shkurtër për ABC News, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka deklaruar se nuk ka asnjë akt dhune nga protestuesit, por është policia ajo që po ushtron diçka të tillë.
“S’ka asnjë akt dhune. E vetmja dhunë është ajo që ushtron policia”, tha Bardhi.
Protesta para Kuvendit është shoqëruar prej disa minutash me tensione të mëdha. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat e protestuesve.
Këta të fundit kanë hedhur gurë dhe mjete të forta në drejtim të forcave policore. Gjithashtu një grup tjetër ka prishur edhe kangjellat rrethuese të Parlamentit./abcnews.al