Prishtina zyrtare i është përgjigjur deklaratave të Beogradit se është gati të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Kosovës, nëse rrezikohen serbët. Për zëvendësministrin kosovar të Mbrojtjes, Burim Ramadani, paralajmërimet janë një luftë dezinformimi e nisur nga Serbia.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se Beogradi i ka gati për veprim trupat ushtarake në rast se Kosova tenton të ndërhyjë në veri.
“Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht në veri të Mitrovicës në rast të ndonjë përpjekje të Kosovës për të sulmuar serbët, apo për të zaptuar Trepçën”, ka deklaruar Daçiç.
Në të njëjtën linjë, ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç ka bërë me dije se edhe trupat policore serbe janë në gjendje gatishmërie. Teksa ka publikuar një raport të dikasterit të tij, Stefanoviç ka nënvizuar se përveç disa incidenteve sporadike të lidhura sipas tij me pakicat, situata e sigurisë në Kosovë është relativisht e qetë.
Ndaj deklaratave të ministrave serbë ka reaguar numri dy i Ministrisë kosovare të Mbrojtjes, Burim Ramadani, i cili i ka etiketuar si “luftë speciale” paralajmërimet e tyre. Në një prononcim për gazetën “Ekspres”, Ramadani nuk ka përjashtuar ndërhyrjen në veri, por ka nënvizuar se çdo aktivitet i trupave të Kosovës do të jetë i koordinuar me KFOR-in. “Kjo është një luftë speciale dhe dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se Kosova do të sulmojë qytetarët e vetë janë një absurditet dhe një tufë broçkullash si ato të viteve ‘90”, ka deklaruar Ramadani. Ai ka shtuar se një fushatë e tillë e Beogradit është e kuptueshme përsa kohë në pushtet janë të njëjtët njerëz që kanë qenë edhe gjatë viteve ’90, ndonëse në poste të ndryshme./abcnews.al