Ministri i Jashtëm grek: Negociatat me Tiranën zyrtare janë zhbllokuar

schedule12:59 - 14 Mars, 2019

schedule 12:59 - 14 Mars, 2019

Në një intervistë për mediat vendase, ministri i Jashtëm grek Katrougalos u shpreh se negociatat me Tiranën janë zhbllokuar pasi nga pala shqiptare janë marrë më në fund përgjigjet që priteshin.

Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougalos deklaroi se negociatat me Shqipërinë janë zhbllokuar “në një farë mënyre”. Gjatë një interviste në radion “Real FM”, kreu i diplomacisë greke është pyetur nëse negociatat Athinë-Tiranë, për zgjidhjen paketë të çështjeve dypalëshe, janë ende të bllokuara. Katrougalos pohoi se negociatat kanë pasur një “vonesë relative”.

Ai e shpjegoi këtë vonesë me situatën e trazuar politike në vendin fqinj. Por edhe me faktin se duheshin marrë disa përgjigje nga pala tjetër, për çështje që kanë të bëjnë me minoritetin grek; dy ligjet që i referohen mbrojtjes së pronave të tyre në lidhje me bregdetin në Himarë, por edhe në lidhje me të drejtën e vetëpërcaktimit, domethënë me mundësinë e deklarimit që janë pjesëtarë të minoritetit.

Ai theksoi se janë marrë disa përgjigje nga pala shqiptare dhe në një farë mënyre negociatat janë zhbllokuar, por është e parakohshme të thuhet nëse do të kenë përfundim pozitiv.

Gjithsesi, ministri i Jashtëm grek tha se vullneti i Athinës është që të avancojnë dhe të përmirësohen marrëdhëniet dypalëshe, dhe përmes zhbllokimit të këtyre çështjeve të hapet edhe rruga europiane e Shqipërisë.

Shefi i diplomacisë greke përsëriti se zgjerimi në 12 milje i detit territorial, është një vendim politik, për të cilin kryeministri Tsipras ka thënë se do të zbatohet me një ligj të posaçëm. Sipas Katrougalos, shtrirja në 12 milje, “inkuadrohet në përpjekjet për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike me Shqipërinë dhe Italinë”.

Katrougalos tha se koha e realizimit nuk është përcaktuar ende, pasi kjo do të varet nga negociatat për zonat detare. “Mirëpo nuk kemi për ta çuar në kalendarët greke”, theksoi duke nënkuptuar se zgjerimi i detit territorial nuk do të shtyhet pafundësisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!