Në Rusi, të gjithë përdoruesit e internetit që fyejnë liderët dhe institucionet online do të përballen me gjoba dhe burg. Një ligj i ri i hartuar nga partia e presidentit Putin, Rusia e Bashkuar, parashikon edhe ndëshkimin e autorëve të lajmeve që mund të nxisin protesta qytetare.
Parlamenti rus aprovoi të mërkurën një ligj për gjobitjen e përdoruesve të internetit që fyejnë autoritetet online, ose përhapin lajme të rreme. Me vendimin e saj Duma ruse ka shpërfillur paralajmërimet e kritikëve se lëvizja mund t’i hapë rrugë censurimit nga ana e shtetit të mediave online. Drafti, që tashmë kërkon vetëm firmën e presidentit Vladimir Putin përpara se të kthehet në ligj, mori mbështetje të gjerë në dhomën e lartë të Parlamentit, disa ditë pasi disa mijëra qytetarë protestuan kundër kufizimeve për përdorimin e internetit. Mbështetja popullore për Putin ka rënë në rreth 64 për qind në muajt e fundit, por ai përballet me një kërcënim minimal nga opozita, që nga ana e saj përballet me ligjet e vështira elektorale dhe nuk ka akses në mediat televizive. Ligji parashikon ndëshkimin e përdoruesve të ëeb-it me 100 mijë rubla, ose 1 mijë e 525 euro për mungesë respekti ndaj shtetit, autoriteteve, flamurit rus, ose Kushtetutës. Ndërsa për përsëritësit e shkeljes, gjoba do të shoqërohet edhe me 15 ditë burgim. Ndërkohë, individët do të gjobiten me 400 mijë rubla, ose 6 mijë e 100 euro, për përhapjen e lajmeve të rreme që mund të çojnë në cënimin e rendit publik. Një ditë më parë, Këshilli rus për të drejtat e njeriut, grupe të shoqërisë civile dhe qindra shkrimtarë e gazetarë e cilësuan ligjin absurd dhe i bënë thirrje Dhomës së Sipërme të Parlamentit që ta rrëzonte ligjin. Mesa duket, apeli i tyre ra në vesh të shurdhët. /abcnews.al