Ngërçi me avionët MiG-29, Kamala Harris niset drejt Polonisë

schedule14:17 - 9 Mars, 2022

schedule 14:17 - 9 Mars, 2022

Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris u nis për në Poloni të mërkurën. Harris nuk iu drejtua gazetarëve përpara se të hipte në avionin e saj. Air Force Two u largua nga Uashingtoni pak para orës 08:00 të mëngjesit për në Varshavë, ku Harris planifikon të takojë udhëheqjen e vendit të enjten si përpjekje për të mbledhur mbështetjen ndërkombëtare dhe për të siguruar një nga aleatët më lindorë të NATO-s.

Por misioni i saj është i ndërlikuar nga çështja mbi avionët e epokës sovjetike, të cilat Ukraina po i kërkon të vazhdojë luftën e saj kundër Rusisë. Propozimi i Polonisë për të transferuar fillimisht pronësinë e avionëve MiG-29 në Shtetet e Bashkuara i kapi zyrtarët e administratës së Bidenit plotësisht të papërgatitur dhe u refuzua nga Pentagoni.

Të martën, Shtetet e Bashkuara refuzuan një ofertë të papritur nga Polonia për të transferuar avionët e saj luftarakë MiG-29 të prodhuar nga Rusia në një bazë amerikane në Gjermani, si një mënyrë për të rimbushur forcat ajrore të Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër forcave pushtuese ruse.

Zyrtarët e administratës amerikane thanë se do të vazhdojë dialogu mbi mënyrën më të mirë për të ofruar ndihmë për sigurinë në Ukrainë, por nuk ofruan detaje se si zëvendëspresidentja planifikon të trajtojë situatën me Poloninë.

Harris do të diskutojë çështjen e ndërlikuar këtë javë, thanë zyrtarë të lartë të administratës përpara largimit të saj.

Në Varshavë, Harris do të takohet gjithashtu me refugjatët që kanë ikur nga dhuna në Ukrainë, si dhe me diplomatë amerikanë që u zhvendosën në Poloni nga Ambasada e SHBA në Kiev.

Ajo do të udhëtojë për në Rumani, ku gjithashtu ka pasur një fluks emigrantësh që ikin nga dhuna në Ukrainë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!