Atleti rus Ivan Kuliak po përballet me procedim disiplinor nga Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës për shfaqjen e shkronjës “Z” në podium pranë një rivali ukrainas në Katar.
Por çfarë do të thotë ky simbol që e kemi parë edhe në tanket ruse që hynë në Ukrainë?
Në Rusi, “Z” po shihet me shpejtësi si një simbol pro-luftës i pushtimit të Ukrainës nga Presidenti Putin. Ajo po përdoret tashmë nga politikanët, shihet në xhamat e makinave, furgonëve dhe strehëzat e autobusëve. Ajo është përdorur madje edhe nga serbët në demonstratat pro-ruse në Beograd. Fotografitë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Është bërë një trend i rrjeteve sociale”, – thotë lektorja Aglaya Snetkova.
“Zed” në alfabetin cirilik rus shkruhet ndryshe dhe duket si një 3, por shumica e rusëve përdorin shkronja latine. Emily Ferris, Hulumtuese për Rusinë dhe Eurazinë në Rusi, thotë se “Z” është kthyer tashmë në një simbol shumë të fuqishëm.
“Shpesh me propagandë, gjërat e thjeshta përhapen shpejt,” – thotë ajo. U deshën më pak se dy javë që “Z” të përhapet në mesin e atyre që mbështesin luftën e Putin.
Qarkullojnë disa teori se çfarë do të thotë në të vërtetë simboli “Z”. Fillimisht tërhoqi vëmendjen në mediat sociale pasi tanket ruse me “Z” u pikasën gjatë rrugës për në Ukrainë.
Fillimisht, u mendua se “Z” ishte në fakt një numër “2” – që përfaqësonte datën 22 shkurt (22/02/2022). Kjo ishte dita kur Rusia ratifikoi një marrëveshje për “miqësinë, bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë” me rajonet e vetëshpallura separatiste në Ukrainën lindore – Donetsk dhe Luhansk.
Por tani besohet se simboli është thjesht një mënyrë për ushtrinë ruse për të identifikuar forcat e veta.
Javën e kaluar, në një program lajmesh në Channel One të kontrolluar nga shteti rus u tha se “Z” ishte një shenjë e zakonshme në pajisjet ushtarake ruse. Një faqe interneti ruse pranë qeverisë tha se “Z” ishte një shënim i thjeshtë që mund të “shmangte zjarrin miqësor” dhe nuk lidhet me diçka tjetër./Express/