Kohë të vështira po trokasin për biznesin familiar të Hasime Hysës. Në furrën e bukës, pastiçerinë dhe kafenenë e saj, të gjitha në një lokal të nivelit europian, shiten bukë të ndryshme, biskota, ëmbëlsira, të gjitha të prodhuara në mënyrë artizanale, ofrohet kafe, pije dhe lëngje frutash. Me këtë biznes ajo dhe familja e saj realizojnë një xhiro vjetore prej 630 mijë eurosh dhe punësojnë 50 vetë. Por sulmi i Rusisë kundër Ukrainës po e kërcënon biznesin e Hasimes. Agresioni rus kundër Ukrainës ka bllokuar importin nga Shqipëia të lëndës së parë, grurit, prej këtyre dy vendeve.
“Fabrikat e mielli në vend, kanë rritur çmimin me 10 përqind për shkak të luftës në Ukrainë. Nëse qeveria nuk na e rimburson këtë rritje çmimi, atëhere do të rrisim çmimin e bukës, sepse nuk e përballojmë dot. Kërcënimi nga mungesa e grurit dhe miellit është real. Kam rezerva mielli për bukën dhe roduktet e tjera vetëm për dy muaj,” thotë ajo për DW.
Shqipëria ka rezerva gruri vetëm për tre muaj
Shqipëria importon grurë dhe miell për të plotësuar nevojat e saj. Pjesën më të madhe, rreth 50 përqind, e importon nga Rusia dhe Ukraina. Pjesën tjetër nga Serbia, Rumania dhe Bullgaria. Prodhimi nga fermerët vendas arrin vetëm 250 mijë ton grurë në vit.
“Në Shqipëri ka pesë fabrika të mëdha që importojnë grurë dhe tani që flasim kanë rezerva gruri vetëm për tre muaj. Në kushtet e luftës në Ukrainë dhe të ndërprerjes së eksportit të grurit nga Bullgaria dhe Serbia, kërkesat për rezerva gruri janë rritur. Kjo ka sjellë edhe rritjen e çmimit të grurit dhe miellit në tregun e brendshëm”, thotë për DW, Prof. Avdyl Sinani, ekspert i Teknologjisë Ushqimore, Dekan në Kolegjin Profesional të Universitetit privat “Qiriazi.”
Ai thekson se “fabrikat e mëdha të miellit në Shqipëei po kërkojnë të marrin grurë nga Franca, Hungaria dhe Rumania në një kohë kur çmimi i grurit në bursë është rritur me më shumë se 50 dollarë për një ton duke shkuar nga 295 në 345 dollarë. Kjo rritje shtohet edhe më tepër me koston e transportit detar”.
„Shqipëria nuk ka rezerva të konsiderueshme gruri dhe mielli. Ka vetëm për tre muaj. Për të shmangur krizën, qeveria duhet të blejë nga buxheti i shtetit 100 mijë ton grurë, kur çmimi në treg është jo i lartë. Ajo duhet të hyjë në bisedime me Francën, Rumaninë dhe Hungarinë për të importuar grurë,” thotë për DW, Prof. Avdyl Sinani.
Rritja e çmimeve të grurit po i kërcënon shqiptarët me shtrenjtimin e produktit më bazik, bukës.
Volumi tregtar i Shqipërië me Rusinë dhe Ukrainën është i ulët. Sipas të dhënave zyrtare që Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë, i ofroi DW, Shqipëria realizoi në vitin e kaluar, kryesisht nga importet me Rusinë dhe Ukrainën, vetëm 2.7 përqind të volumit të tregtisë së jashtme ose 157 milion euro.
„Pavarësisht që volumi tregtar me këto dy vende është i ulët, ekonomia e Shqipërisë pëson sulme direkte dhe indirekte nga agresioni rus kundër Ukrainës. Shqipëria ka varësi të lartë nga importi i lëndëve jetike, si drithërat dhe nafta nga Rusia. Nga Rusia dhe Ukraina, Shqipëria importon 50 përqind të sasive vjetore të drithërave dhe vetëm nga Rusia 12 përqind të naftës,” thotë për DW, kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, Paulin Jaka.
Në kushtet e luftës Shqipëria ndodhet në një varësi indirekte në rritje prej tregjeve të Rusisë dhe Ukrainës. “Rusia është një nga furnitorët më të mëdhenj të botës me gaz dhe naftë. Në vitin 2021 Shqipëria importoi 12 përqind të sasisë së naftës që i duhet vendit nga Rusia. Edhe nafta e importuar nga Italia ka origjinë nga Rusia, por përpunohet në rafineritë italiane. Vitin e kaluar importi i naftës dhe gazit arriti në rreth 1 milion ton, ku gati 70 përqind ishte naftë. Nafta në tregun vendas po shënon tani shifra rekord deri në 1,7 Euro litri,” thotë për DW, Paulin Jaka.
Ai thekson që “në skenarin më të keq, pra në ndërprerjen totale të gazit nga Rusia, ekonomia e Europës do të pësonte rënie me 3 përqind. Si pasojë e një efekti zinxhir të rritjes së mimeve edhe ekonomia shqiptare do te afektohet nga ꞔmime më të larta për lëndët e para dhe ndihmëse që nga plehrat kimike, industria prodhuese që bazohet në importin e lëndëve të para , makineri dhe pajisje.”
„Ulja e volumit tregtar dhe situata e pasigurtë që krijohet në klimën e investimeve, do të ndikojë negativisht në pritshmëritë për treguesit e rritjes ekonomike të vendit. Rusia është ekonomia e 11-të më e madhe e botës. Është një nga eksportueset kryesore të gazit dhe naftës, por edhe të një sërë lëndësh minerale, si hekur, çelik dhe alumin,” thotë për DW, Nikolin Jaka.
Lufta dhe sektori i turizmit
Sektori i turizmit është një ndër sektorët që do ta ndjejë peshën e mungesës së turistëve nga Ukraina dhe Rusia. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë, turistët nga Ukraina përbënin vitin e kaluar 22 përqind të lëvizjeve me charter me destinacion Shqipërinë dhe kanë qenë grupi i dytë më i madh pas polakëve.
Lufta në Ukrainë mendohet të ketë pasoja në të gjithë tregjet turistike të Shqipërisë, ku ukrainasit përbëjnë një numër të konsiderueshëm. Anulimi i prenotimeve, mungesa e të ardhurave nga strukturat akomoduese hoteleri-restorante do të kenë pasoja negative.
Si mund të zbuten në Shqipëri pasojat e luftës në Ukrainë?
„E vetmja mënyrë për të shmangur shtrenjtimin e mëtejshëm të bukës do të jenë masat mbështetëse shtetërore. Kompanitë tregtare dhe grosistët po mundohen të gjejnë burime të reja furnizimi nga Franca, Argjentina, Rumania, Hungaria. Çmimi i importeve të reja do të jetë më i lartë. Ndërkohë, në këtë moment, importuesit kanë nevojë për likuiditete të mëdha, në mënyrë që të ndryshojnë burimet e furnizimit dhe të përballojnë çmimet e larta. Prodhuesit e bukës dhe nën produkteve të tjera të miellit, kanë kërkuar nga qeveria uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, (TVSH) të miellit dhe bukës në vlerën 6 përqind, të paktën për periudhën kur çmimi i grurit është në nivele të larta,” thotë për DW, Nikolin Jaka. .
Një ndihmesë tjetër, që kërkohet nga qeveria është krijimi i mundësive për kredi për mjete qarkulluese, në mënyrë që të blihet sa më shumë grurë, pasi tani për të njëjtën sasi importi, duhet dyfishi i mjeteve monetare. Për zbutjen e pasojave nga lufta në Ukrainë kërkohet edhe që nafta për fabrikat e miellit dhe furrat e bukës të subvencionohet nga shteti dhe tarifa e energjisë elektrike për fabrikat e prodhimit të miellit dhe furrave të bukës të mbetet e pandryshuar./DW