Basha: Qeveria e Ramës, Peleshi e Filo duan të helmojnë korçarët

schedule15:10 - 11 Mars, 2019

schedule 15:10 - 11 Mars, 2019

Në një takim me qytetarët e Korçës, kreu i opozitës, denoncon Kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Korçës, Kristaq Filo për ndërtimin e një termocentrali. Siguron korçarët se taksa e naftës do të hiqet për të mbijetuar biznesi i vogël dhe u bën thirrje të bashkohen në protestën e 16 marsit në kryeqytet.

 E nisi javën me entusiazëm. Në një takim me qytetarët e Korçës paraditen e së hënës, kryetari i të djathtëve, Lulzim Basha akuzon qeverinë Rama, Niko Peleshin dhe kryetarin e Bashkisë, Kristaq Filo për  termocentralin pranë një zone të banuar të qytetit.

“Qeveria duhet të ketë frikë nga qytetarët dhe jo qytetarët nga qeveria. Qindra ton karbon për mushkëritë e korçarëve. TEC në Korçë, janë gati t’ju helmojnë ju dhe fëmijët tuaj. Këta janë hajdutë dhe kriminelë dhe duhen larguar një herë e më parë. U përgjigjëm me djegjen e mandateve parlamentare se nuk pranonim të ishim më fasadë. Ju nxin jetën qytetarëve të taksës më të lartë të naftës në rajon dhe Europë.  I kemi dhënë fund kësaj Asambleje të krimit. Më 16 mars është ora juaj të mërrni vendimin.

Të rinj të pasigurt. Kurrë nuk e kam parë këtë gjendje kaq të vështirë, as Korçën më të revoltuar. Korçarët kanë vendosur të jenë të zotë në shtëpinë e tyre. Çdo 10 lekë që qeveria ka derdhur në Korçë 5 i ka vjedhur. Me Ramën nuk ka integrim në BE. Qeveri që i shërben krimit dhe kriminelëve. Me Ramën ka vetëm grabitje dhe vjedhje në kurrizin tuaj”.

Basha bisedoi edhe me përfaqësues të biznesit të vogël mbi çmimin e lartë të naftës  që sipas tyre  po i rëndonë ata.

“Ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, vetëm një taksë 0.5% për biznesin, nuk bëhen realitet pa larguar qeverinë e kapur në vjedhje”.

Kreu i bluve premton se do të ulë çmimin e energjisë dhe se do të ndërmerren politika në interes të biznesit të vogël.

“Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël.

Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qëndrore bashkë. 0.5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyhesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të kondiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh”.

Heqja e ‘taksës Rama’, do të favorizojë bizneset dhe qytetarët, deklaron Basha.

“Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “Taksën Rama” mbi naftën me 300 lek që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët. Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lek. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lek në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve do të rrisë çmimin dhe qarkullimin”.

Për përmirësimin e kësaj situate, kreu i djathtë u bën thirrje korçarëve të bashkohen në protestën e 16 Marsit.

“Duhet të heqim pengesën. Thirrje për më 16 mars Premtoj se kjo nuk do mbarojë vetëm me largimin e Ramës, por të gjithë qeverisë. Shembjen e qeverisë që bën pakt me krimin dhe oligarkinë”. /abcnews.al