UKRAINË – “Duket si një film. Po, po, vërtetë si një film”. Këto janë fjalët që e përshkruajnë situatën momentale në Ukrainë, grupi i xhirimit të ABC.
Gazetari Taulant Kopliku së bashku me grupin e xhirimit janë nisur drejt Kievit, ndërsa kanë rrëfyer rrugëtimin e vështirë drejt kryeqendrës së Ukrainës, të cilën prej disa ditësh makineria vrastare e Putinit po tenton ta shtie në dorë, por ende pa sukses.
Grupi i ABC në Kiev, raporton se mijëra makina po ikin nga kryeqyteti për shkak të luftës, në një kohë ku trupat ruse ndonëse të ngadaltë po afrohen në zemër të qytetit.
Gazetari Kopliku raporton se rruga për të hyrë në Kiev është shumë e vështirë. Ata kanë përdorur një hyrje alternativë në mënyrë që të shmangin trupat ruse, që mund tu rrezikonin jetën. Konkretisht shoqëruesi i ABC për në Kiev është shprehur se rruga që po ndjekin është gati dyfish i normales, por është e domosdoshme në mënyrë që të mos përplasen me agresionin rus.
ABC ka xhiruar edhe pamjet teksa mijëra makina largohen nga Kievi, skena këto që i ngjajnë filmave të Hollywood.
/abcnews.al/