Në kuadër të procesit “Titanik 2”, Gjykata Penale në Shkup ka dënuar me burg kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, 5 ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ish-shefin e shërbimeve sekrete të Maqedonisë, për parregullsitë e verifikuara në zgjedhjet vendore të vitit 2013.
Zotit Thaçi iu caktua dënimi me 3 vjet e dy muaj burg. Bedredin Ibrahimit, po ashtu zyrtar i lartë i PDSH-së dhe ish-anëtar i KSHZ-së, 4 vjet e gjashtë muaj burg. Edhe ish-drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, 3 vjet burg. Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme, Fatime Fetai kërkoi masën e paraburgimit për zotërinjtë Mijallkov dhe Ibrahimi deri në hyrjen në fuqi të dënimit, për shkak të mundësisë së arratisjes së tyre.
Fatimi Fetai, prokurore e Prokurorisë Speciale: “Për këto arsye, për shkak të ekzistimit të rrethanave që japin indikacione për arratisje, nga i akuzuari Bedredin Ibrahimi me qëllim që ai ti ikë dënimit që i ngarkohet, mendoj që mekanizëm i vetëm për sigurimin e prezencës së tij në procedurën e mëtutjeshme është paraburgimi”.
Mijallkov e morri qetë kërkesën e Prokurorisë Speciale, por jo edhe Ibraimi. Tha që këtu ka lindur dhe këtu do të jetë për t’i qeshur në fytyrë Fatime Fetait, kur apeli do ta lirojë nga akuzat.
Bedredin Ibraimi, ish-anëtar i KSHZ-së: “Derisa në instancat më të larta gjyqësore nuk e dëshmojë se unë dhe kolegët e mi nuk kemi asnjë faj, nuk kam nevojë të ikë askund. Këtu do të mbetem, që kësaj nesër ti qeshem në fytyrë, sepse ky vendim është i shkallës së parë”.
Sasho Mijallkov, ish-shef i shërbimeve sekrete: “Unë disa herë para këtij trupi gjykues, mendoj që njëherë edhe para jush i nderuar gjykatës e kam thënë filozofinë e mendimit tim, e ajo është se me ikje problemet nuk zgjidhen. Stili i jetesës time nuk është ikja”.
Trupin gjykues pranoi kërkesën e Speciales që këta të dy të shkojnë në paraburgim dhe në orët e pasdites, ata janë transferuar në Burgun e Shkupit./abcnews.al