Nga Xhensila Kodra
Vettingu në Polici vijoi me ritme tepër të ngadalta, për të larguar nga radhët e uniformave blu çdo efektiv të lidhur me krimin, apo ata që nuk justifikonin pasurinë.
Për deputetin e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalinë, Komisioni nuk ka bërë një punë korrekte dhe shkak për vonesën e procesit është bërë burokracia mes institucioneve.
“Ka pasur një farë stepje, një farë burokracie, mbledhje të të dhënave. Pra, ka pasur një vështirësi që të arrihej në konkluzionin përfundimtar. Pastaj, një numër aq i madh punonjësish policie e ka vështirësuar punën e këtij komisioni, që për hir të së vërtetës unë kam qenë kritik dhe vazhdoj të jem kritik me punën e komisionit, i cili duhet të kishte vepruar në mënyrë më të shpejtë dhe në mënyrë më dinamike që t’i krijonte mundësi shumë vetave për të kaluar në proces. Numri i vogël i personave të vetuar tregon për neglizhencë dhe punë jo korrekte të këtij komisioni.”
Ligjvënësi shpjegon se me emërimin e ri që ka marrë tashmë SHÇBA, do të kalojë në sitë vetëm postet më të larta të Policisë, dhe jo gradat e ulëta.
“Hetimi i këtyre punonjësve të thjeshtë, nuk do të jetë. Pra, do ketë një punë të përhershme kjo agjenci e cila monitoron veprimtarinë e këtyre punonjësve, por nuk do kalojnë në proces vettingu. Në proces vetting mendohet të kalojnë pikërisht ato funksione që unë ju përmenda, që në numrin total të tyre arrin rreth 200 persona. Personat e tjerë të cilët do të kërkojnë që të marrin këto detyra apo që të marrin grada të larta, pra do propozohet për shef komisariati, para se të kalohet në marrjen e detyrës, si shef komisariati, drejtor rendi apo drejtor krimesh, do kalojë në proces vettingu.”
Seanca e parë e vettingut për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, tashmë me emërtimin e ri, Agjenci e Mbikëqyrjes Policore, nisi më 7 nëntorit të 2019-ës. Në total, janë vetuar 62 subjekte. /abcnews.al/