Zbardhet juglindja, dhjetëra fshatra pa energji elektrike

schedule16:53 - 27 Shkurt, 2022

schedule 16:53 - 27 Shkurt, 2022

Nga Roland Beqiraj

Juglindja e vendit është zbardhur nga reshjet e dëborës. Në zonat e thella trashësia e dëborës ka shkuar rreth 40 cm.

Në disa segmente rrugore si Qafë Qarr, Qafë Plloçë dhe Qafë Thanë mjetet duhet të qarkullojnë me ndihmën e zinxhirëve. Të gjithë ata që shkojnë apo kthehen nga pika turistike e Dardhës duhet të pajisin automjetet me zinxhirë dhe goma dimërore. Prej përkeqësimit të motit dhjeta fshatra të Devollit, Korçës dhe Maliqit nuk kanë energji elektrike. Sipas OSSH janë dëmtuar dy linja të tensionit dhe janë rrëzuar 10 shtylla.

Bora është rikthyer dhe në zonat e thella të Librazhdit.

Për pasojë janë bllokuar rrugët e fshatrave Zabzun, Bororovë, Sebisht deri në  Ostren. Prej përkeqësimit të motit prej reshjeve të shiut ka pasur shkarje dherash dhe gurësh.

Reshjet e rëna gjatë orëve të fundit kanë krijuar probleme në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Si pasojë  e shkarjeve masive të dheut njëri krah i kësaj rruge është bllokuar.

Pikërisht tek vendi i quajtur Shkalla e Zezë ra rënie masive gurësh. Kompania “Salillari” që mirëmban këtë aks nacional vendosi shirita dhe tabela për të bllokuar qarkullimin e mjeteve në këtë krah të rrugës. Në këtë zonë nuk është hera e parë që prej reshjeve të shiut masive gurësh shkëputen nga kodra dhe rrezikojnë jetën e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në rrugën Gjirokastër-Tepelenë. /abcnews.al/