Rreth 130 milionë po investon Operatori i Shpërndarjes së Enegjisë Elektrike për të rikonstruktuar rrjetin e tensionit të ulët përgjatë segmentit rrugor Elbasan –Cërrik.
Ndërhyrja e parashikuar në 26 kabina pritet të reduktojë humbjet në rrjet dhe të sigurojë një furnizim më të mirë me energji elektrike afro 9 mijë banorëve të zonës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkon që punimet të përfundojnë në prill, tre muaj para afatit të parashikuar.
“Përveç faktit se ka një impakt shumë të ndjeshëm tek banorët e zonës, 9 mijë banorë të zonës ose 2500 abonentë, nga ana tjetër do ketë impakt edhe në zhvillimin e sektorit bujqësor si dhe impakt në zhvillimin e turizmit, kështu që ju duhet ta mbaroni sa më shpejtë, nëse mbarohet në prill do jetë akoma më mirë për t’i dhënë kohë edhe sezonit turistik, atëherë kur emigrantët kthehen apo dhe kur vizitorë nga vende të ndryshme vijnë edhe në zonën tuaj për të qenë gati dhe për të përballuar fluksin”.
Rreth 50% e investimit ka përfunduar ndërkohë që për ta mbyllur janë angazhuar 80 punonjës. /abcnews.al