Kristian Panuçi mund të largohet nga Kombëtarja shqiptare

schedule14:51 - 5 Mars, 2019

schedule 14:51 - 5 Mars, 2019

Kristian Panuçi mund të mos jetë më, trajner i Kombëtares shqiptare. Lajmet nga Italia janë që ai është kandidat serioz për stolin e Romës.

Detyrimin e ka të madh për të mos ikur, por zgjedhja mund të jetë pikërisht e tillë. Kristian Panuçi mund të largohet nga kombëtarja shqiptare për t’u ulur në stolin e Romës në Serinë A.

Informacionet vijnë nga Italia dhe theksojnë se emri i trajnerit të kombëtares shqiptare është ndër më të lakuarit në klubin me bazë në Trigoria.

Disfata e rëndë, 0-3 në derbi, duket se i ka prerë shpresat që Di Françesko të vazhdojë në detyrë, dhe mundësia e vetme që ai të shpëtojë postin është suksesi në Ligën e Kampionëve.

Vetëm nëse Roma eleminon Porton dhe kualifikohet për në çerekfinale, trajneri nuk do të shkarkohej, por kjo thjesht për momentin.

Klubi kryeqytetas, sipas lajmeve nga Italia, e mendon Panuçin si zgjedhje emergjente, për të ndihmuar një skuadër që, sipas tyre, është në prag të shkatërrimit, dhe në rrezik për të mos u kualifikuar për në Champions.

Tekniku i Shqipërisë shihet si njeri që e njeh ambientin, dhe që ka kosto relativisht të ulët. Nga Roma pritet të largohet edhe njëri nga drejtuesit, spanjolli Monçi, njeriu që e ka mbështetur deri në fund trajnerin e tanishëm, të cilin më pas nuk do të ketë kush ta mbështesë.

Lajmet për interesimin e verdhekuqve për ish-lojtarin e tyre dolën në publik dhjetorin e kaluar, kur Roma pati problemet e para me Di Françeskon.

Gjithsesi, nuk dihet nëse Panuçi do të pranonte një detyrë që pritet të jetë e përkohëshme, të paktën sipas planeve të klubit, pasi romanët shpresojnë të marrin në verë trajnerin e Çelsit, Mauricio Sarri.

Një pengesë tjetër do të ishte kontrata me Federatën Shqiptare të Futbollit, që përfundon në nëntor, por edhe detyrimi moral pas mbështetjes së plotë që pati nga presidenti i saj, Armand Duka. Panuçi u konfirmua në stol edhe pas paraqitjes së dobët në Ligën e Kombeve, dhe zërave se nuk shkon mirë me lojtarët./abcnews.al