Pasojat e ndryshimeve klimatike në Luiziana

schedule20:26 - 19 Shkurt, 2022

schedule 20:26 - 19 Shkurt, 2022

Më shumë se 200 milionë njerëz parashikohet të detyrohen të lënë shtëpitë e tyre deri në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të Bankës Botërore. Pasojat e këtyre ndryshimeve po ndihen në shtetin e Luizianës këtu në SHBA, ku dy uragane dhe dy stuhi të tjera që ndodhën në një periudhë 9 mujore kanë shkatërruar ekonominë lokale duke sjellë dhe një rënie të popullsisë.

Shtëpia e Clair Marceaux u shkatërrua nga uragani Laura në muajin gusht të vitit 2020. Më shumë se një vit më pas, kujtimet e asaj që ndodhi ende e trondisin atë.

“Bashkëshorti im vetëm sa grumbulloi disa blloqe betoni, nuk ke se çfarë të bësh tjetër? Nuk është se ka ndonjë gjë për të riparuar. Është njësoj sikur shtëpia të mos kishte qenë kurrë atje”, tregon për Zërin e Amerikës Clair Marceaux, banore në Cameron, Luiziana.

Uragani Laura shkaktoi 19 miliardë dollarë dëme në të gjithë rajonin. Gjashtë javë më vonë goditi uragani Delta. Në muajin shkurt të këtij viti i ftohti i acartë goditi rajonin. Dhe në muajin maj 30 centimetra shi ranë në një ditë.

Në qytetin Lake Charles, një nga më të goditurit, shenjat e shkatërrimeve duken ende të freskëta.

“Nëse do të më pyesnit për ndryshimet klimatike dhjetë vjet më parë, me siguri do të kisha thënë se këto janë mashtrime, apo një axhende e sajuar. Por sot mendoj ndryshe”, thotë për Zërin e Amerikës, Nic Hunter, kryebashkiak i qytetit Lake Charles.

Një vit pas Uraganit Laura, sipas kryebashkiakut Hunter, mijëra njerëz janë ende të zhvendosur. Ndërsa katrastrofat klimatike po përhapen në të gjithë botën, ajo që ndodhi në qytetin Lake Charles tregon se sa ndikojnë ato në një komunitet.

Kryebashkiaku Hunter thotë se problemi më i madh është strehimi. Pothuajse gjysma e shtëpive u dëmtuan nga dy uraganet, Laura dhe Delta.

Joyce Nash jeton në një rrugë ku shumica e shtëpive janë të braktisura.

“Fqinjët e mi nuk janë në gjendje të kthehen sepse në shtëpinë e tyre nuk mund të jetosh. Pra nuk mund të kthehen”, thotë ajo. Po ashtu shumë banorë nuk janë kthyer në vendet e punës.

“Ata nuk mund të kthehen në punë sepse nuk kanë ku të jetojnë”, thotë Joyce Nash, banore në qytetin Lake Charles.

Në të gjithë qytetin, mungesa e shtëpive ku mund të jetosh ka krijuar dhe një mungesë të fuqisë punëtore.

Kathi Vidrine është pronare e një restoranti të njohur në qytet. Para se të godisnin dy uraganet ajo kishte rreth 50 punonjës.

“Unë kam nevojë për rreth 30 persona të tjerë. Pra, nëse dikush dëshiron një punë, një banor apo 15 ne mund t’i punësojmë ata. Unë kisha dy punonjës që humbën shtëpinë e tyre. Njëri po jeton me prindërit. Ka kaq shumë prej tyre që janë larguar”, thotë Kathi Vidrine.

Becky Franks është menaxhere marketingu në kompaninë “Manpower”. Ajo thotë se e gjithë ekonomia e qytetit po vuan nga mungesa e punonjësve.

“Nuk ka punëtorë mjaftueshëm. Dhe ju e shihni këtë në çdo rrugë, në çdo biznes”, thotë ajo.

Njerëzit në Luiziana krenohem me aftësinë e tyre për të kaluar shpejt vështirësitë. Por ndikimet që kanë këto katastrofa po shohen thotë antropologu i Universitetit Shtetëror të Luizianës, Craig Colten.

“Sa herë ndodh një stuhi, kjo ndikon në gjendjen emocionale të popullsisë. Dhe duhet më shumë kohë për të dalë nga gjendja e dëshpëruar e ekonomisë dhe për mirëqënien e tyre”.

Ndërkohë Clair Marceaux dhe familja e saj do ta rindërtojnë shtëpinë. Ajo e di se jeta e saj po bëhet më e pasigurt me ndryshimet klimatike

“Ne nuk do të largohemi për shkak të klimës. Ne nuk jemi të vetmit, është një krizë globale. Nuk është vetëm këtu”, thotë për Zërin e Amerikës Clair Marceaux.

Më shumë se 200 milionë persona pritet të largohen nga shtëpitë e tyre deri në vitin 2050 si pasojë e ndryshmeve të klimës, sipas një raporti të Bankës Botërore. /VOA