Në Spanjë e kanë vënë edhe në pikëpyetje qëndrimin e tij në fund të sezonit. Shkak është bërë loja e dobët që Real Madrid bëri në humbjen kundër PSG.
Trajneri Carlo Ancelotti është pyetur për atë duel edhe para ndeshjes me Alaves, në konferencën për shtypin që u organizua sot.
“Ndonjëherë ndeshja humbet për detaje të vogla, por unë mendoj se luajtëm keq kundër PSG-së. Patëm një mbrëmje të keqe. Gjithsesi nuk shqetësohem shumë, pasi e di se çfarë kualiteti kanë lojtarët e mi.
Jam i pari që kritikoj veten dhe marr përsipër përgjegjësitë e mia. Bisedova edhe me presidentin Perez, të gjithë në klub janë të lënduar. Ashtu ndihemi edhe ne.
Nuk dhamë një imazh të mirë në atë ndeshje. Rezultati është problemi më i vogël, ai mund të ndryshojë, ndërsa imazhi jo”, tha Ancelotti. / abcnews.al