Shqiptarë të Diasporës, vizitorë të huaj dhe qytetarë lezhjanë mbushën sheshin “Gjergj Kastrioti” të Lezhës për të marrë pjesë në festimet e organizuara nga Bashkia për 575 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.
Lezha u bë epiqendra e shqiptarëve në përvjetorin e 575-të të Besëlidhjes që u mbajt nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Veshjet kombëtare mbushën sheshin, ashtu si edhe artistët e shumtë. Festimet u vendosën në sheshin “Gjergj Kastrioti”. Këtu mbërritën edhe shqiptarët e Diasporës.
Bashkia e Lezhës ishte kujdesur për një dekor sa më impresionues për vizitorët që iu drejtuan këtij qyteti për të përkujtuar ngjarjen e madhe të 2 marsit 1444. Shqiptarët e Diasporës thonë se në të ardhmen, samitet do të organizohen prej vetë atyre.
“Besoj se samitet e tjera do organizohen nga Diaspora, jo nga qeveria, ku s’do ketë askush arsye me anulu vizitën”.
“I vetmi qëllim është me bashku shqiptarët”.
“Organizimi ishte i mirë, ka edhe mangësi”.
“Politika të gjejë rrugën e vet të shohë para jo pas e të bashkojë popullin”.
Të gjithë shijuan një spektakël të veçantë gjatë 5 orëve të qëndrimit në festë.
“Besëlidhja e Lezhës është festë kombëtare dhe duhet bërë traditë që të festohet në këtë mënyrë”.
“Qytet shumë i bukur dhe njerëz mikpritësa”.
Panairi Kulturë dhe Traditë solli prodhimet më të mira të artizanëve, punuesve të baltës, prodhuesve lezhjanë si dhe gastronominë e larmishme të zonës. /abcnews.al