Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, e cilëson situatën në Shqipëri shumë të vështirë. Sipas tij, qeveria dhe opozita ndodhen në “luftë civile”.
“Luftë civile” mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri?
Këtë titull mban shkrimi i Deustche Welle, e cila i referohet një deklarate të Presidentit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani. Në kuadër të një vizite në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, kreu i Parlamentit Europian, thotë Deustche Welle, e quajti situatën në Shqipëri shumë të vështirë dhe stabilitetin e Ballkanit shumë të rëndësishëm për Europën.
Në një konferencë për shtyp pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Tajani tregoi se ka folur me Sekretarin e Përgjithshëm, Antonio Guterres, për Ballkanin sepse “Ballkani është një çështje me të cilën ne merremi vazhdimisht. Stabiliteti i Ballkanit është po ashtu stabilitet i Europës” citon Deustche Welle, por dhe për situatën në Shqipëri “sepse situata është shumë e vështirë. Është “luftë civile” në thonjëza midis qeverisë dhe opozitës. Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin”.
Kryetari i PE, thotë po ashtu se në Ballkan ”duhet të shohim çfarë investimesh vijnë nga jashtë rajonit. Aty bëhen investime me diferenca të ndryshme, jo vetëm evropiane, por edhe ruse, arabe dhe turke. Kjo është lojë e vështirë”. Tajani shprehet se Europa duhet të jetë aktive, por edhe e matur në Ballkan./abcnews.al